“Vetting-u me parimin ‘ndiq paranë’”, Basha nga Mati: SPAK të sekuestrojë pasuritë e të dënuarve për korrupsion
Lulzim Basha, ne vazhdën e takimeve në qytetet e Shqipërisë me mbështetësit e tij, është ndalur këtë të martë në Mat.
Basha ka ndarë disa foto në rrjetin e tij social Facebook, ku shihet duke takuar dhe biseduar mbështetësit e tij në Mat, ndërsa bashkangjitur postimit thekson nevojë për vetting në politikë.
Sipas Bashës, është koha të hapen ‘letrat’ dhe të tregohen pasuritë e çdo politikani.
Reagimi i plotë:
Sot është e qartë, ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë, ata që duan që Shqipëria të mbetet në duart e tyre, janë bashkë kundër vetting-ut, janë kundër llogaridhënies për pasuritë e tyre dhe lidhjet me krimin, që i përdorin në çdo palë zgjedhje.
Sot është koha të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Të shohim a i justifikojnë apo jo?
Ndiq paranë, por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo!
Dosja e Inceneratorëve – Afera korruptive e shekulli, që u kushtoi shqiptarëve 430 milionë euro tregoi se si qeveria vepronte si grup i strukturuar kriminal. Por kjo është vetëm njëra nga shumë aferat që presin vendimin e drejtësisë.
Është i domosdoshëm mirarimin i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, jo vetëm për dënimin e korrupsionit, por edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera.
Duhet nisur menjëherë me:
Hetimin e mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;
Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;
Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;
Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë duhet t’u kthehen shqiptarëve.
Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare dhe pa asnjë diskutim i takon të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia dhe shqiptarët, sigurisht në një aleancë të fortë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.
Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara.
Sot është koha që bashkë me shqiptarët, të majtë e të djathtë, t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së emigrantëve. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi duke kërkuar edhe referendum.