AMA miraton Kodin e ri të Transmetimit, përfshihen edhe aktet ndërkombëtare detyruese
Pas tryezave të diskutimit me grupet e interesit dhe profesionistë të medias, me konsultim të ekspertëve të huaj dhe shqiptarë, me 3 seksione të reja të shtuara dhe zgjerim e ripunim deri në 60% të seksioneve ekzistuese, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka miratuar së fundmi Kodin e ri të Transmetimit.
I ardhur si nevojë e pasqyrimit të standardeve të reja të vendosura nga institucionet europiane në lidhje me mediat audio dhe audiovizive, në kushtet e krijuara nga zhvillimi teknologjik, standardeve të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar dhe me adresimin e problemeve të dala në praktikë, ndryshimi i Kodit ekzistues ka sjellë një paketë të re dhe të plotë, ku janë përfshirë edhe aktet ndërkombëtare detyruese, ku shteti shqiptar aderon.
Kodi i Transmetimit përmban parimet bazë të transmetimit dhe rregullon veprimtarinë audio dhe audiovizive, pothuajse në të gjithë gamën e vet. Kodi i ri i Transmetimit është pasuruar me parime dhe rregulla të reja që përfshijnë promovimin e barazisë gjinore, parandalimin e diskriminimit gjinor dhe luftimin e seksizmit në mediat audiovizive; parandalimin e gjuhës së urrejtjes, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm; mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijëve në të gjitha llojet e transmetimeve; mbrojtjen më të mirë të të drejtave dhe lirive të njeriut, pavarësisht statusit ose pozitës shoqërore; mbrojtjen e të drejtave dhe aksesin e personave me aftësi të kufizuara në mediat audiovizive, si edhe mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale.
Kodi i sapomiratuar i Transmetimit përmban 11 Seksione, nga 8 që kishte më parë. Seksioni i “Lufta ndaj diskriminimit dhe promovimit të barazisë gjinore” si dhe “Parandalimi dhe lufta ndaj gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive” janë përfshirë për herë të parë në këtë Kod. Ndërsa seksionet ekzistuese janë pasuruar dhe zgjeruar çka i shkon më afër qëllimit që Kodi i Transmetimit ka, atë për sigurimin e pavarësisë dhe paanësinë së veprimtarisë së subjekteve audio dhe audiovizive në Shqipëri.
Kodi i sapomiratuar i Transmetimit reflekton në mënyrë të ekuilibruar pritshmëritë e të gjitha grupeve të interesit, evoluimin e kuadrit ligjor vendas dhe ndërkombëtar si edhe rekomandimet e ekspertëve vendas dhe të huaj sipas standardeve dhe nevojave të tregut audioviziv shqiptar.