Dy goditjet e fundit, një holandez dhe një amerikan “blindojnë” Milanin
Është çështje orësh dhe vetëm disa detaje kanë mbetur pa u sistemuar para se të zyrtarizohen dy blerjet e radhës së skuadrës së Milanit. Bëhet fjalë për anësorin holandez Arnaut Danjuma dhe mesfushorin amerikan Yunus Musah.
Klubi shpreson që të dy futbollistët të jenë pjesë e grupit të lojtarëve që do të udhëtojnë me ekipin për në Amerikë, ku Milan do të zhvillojë miqësoret me Real Madrid, Juventus dhe Barcelona.
Të dy lojtarët nuk kanë luajtur në miqësoret e fundit me skuadrat e tyre, sinjal që tregon se do të largohen. Danjuma, 26 vjeç, muajt e fundit luajti në huazim te Tottenham, por lojtari është në pronësi të Villareal. Ai pritet të vijë në formë huazimi, 3 milionë euro, me të drejtë blerje pas një viti.
Ndërsa Musah do të vijë si 100% kuqezi, teksa Milan do të blejë kartonin e tij nga Valencia. Skuadra spanjolle kërkon 20 milionë euro, ndërsa Milan ofron 18 milionë, por bisedimet vijojnë dhe pritet që brenda pak orësh të sistemohet gjithçka. Nëse gjërat shkojnë mirë, dy lojtarët do të jenë në Amerikë me grupin dhe trajneri Pioli do t’i ketë në dispozicion për miqësoret e radhës.
Kështu, Milani i ri ka ndryshuar shumë fytyrë, duke marrë jo emra të bujshëm, por nga ana tjetër ka shkuar konkurrencë. Sezonin e fundit Milan vuajti shumë nga dëmtimet dhe prandaj kësaj here nuk duan të rrezikojnë, duke dubluar çdo rol me lojtarë cilësorë.
()