Mon, Nov 25, 2024

Pas Kosovës radhën e ka Shqipëria, MM zbulon për News 24 afatet e dorëzimit të pakos së parë të dronëve të armatosur “Bayraktar” TB-2

  • PublishedJuly 19, 2023

Pjesa më e madhe e ushtrive moderne sot në botë përpiqen të sigurojnë sa më shumë armë që mund të kontrollohen nga distanca dhe të shkaktojnë dëme maksimale tek armiku pa rrezikuar jetën e njerëzve. Një shembull i armëve të tilla janë dronët Bayraktar TB-2. E ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës mori në dorëzim dronët “Bayraktar” duke rritur kapacitetet e saj operacionalë, Shqipëria duhet të presë deri në fund të qershorit 2024 për të krijuar flotën ajrore ushtarake me avionë pa pilote “Bayraktar” TB-2.

Ministria e Mbrojtjes iu përgjigj zyrtarisht interesimit të News 24 duke dhënë për herë të parë informacionin se “Dërgesa e parë e dronëve të armatosur “Bayraktar” TB-2 do të mbërrijnë brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2024”.Më 31 maj të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për kontratën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë së njohur turke, “për furnizimin me sistem mjetesh ajrore pa pilot Bayraktar TB-2.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kryeministri Edi Rama tha vitin e kaluar se Shqipëria do blejë 6 dronë të armatosur nga kompania turke “Baykar”. Marrëveshja e lidhur mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë turke nuk përfshin vetëm blerjen e flotës ushtarake të dronëve pa pilot, por edhe mirëmbajtjen e tyre, trajnimin e më shumë se 30 personave, që do përzgjidhen me ndihmën e kompanisë do trajnohen për qendrën e kontrollit. Nuk dihet sa i ka kushtuar Shqipërisë një dron, por Kryeministri Rama tha se janë blerë me “çmim të leverdishëm”, pa dhënë shifër konkrete. Në internet një dron i tillë thuhet se kushton 5 milion euro. Referuar ligjit turk, shitjet e dronëve” Bayraktar” duhet të miratohen nga ministria e Mbrojtjes turke dhe zyra e Presidentit turk Erdogan. Por rregullat dhe kriteret e sakta për vendet që dëshirojnë të blejnë armën nuk bëhën publike. Lista e pritjes nga shtetet të cilat duan të blejnë dronët me famë “Bayraktar” është e gjatë. Turqit pretendojnë se dronët nuk mund të përdoren kundër ushtrisë së tyre, pasi kanë të instaluar një sistem që i pengon të sulmojnë, më tej pretendohet se çdo përpjekje për modifikim të dronit rezulton me pasoja duke e bërë të papërdorshëm.

(/News24)

AlbaniaWeb.net