Wed, Nov 27, 2024

“Puç në Parlament për të zgjatur mandatin e Skënder Gjinushit”, Açka letër Nikollës: Koçi dhe Beqiraj po shkelin ligjin, na informoni!

  • PublishedJuly 19, 2023

Kryetarja e Komisionit të Edukimit, Flutura Açka ka reaguar përmes një letre në lidhje me nismën për t’i dhënë mandat të përjetshëm kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Në një reagim në Facebook, Açka flet për puç që po bëhet në Parlament për të arritur sipas saj këto synime. Mes të tjerash ajo shton se deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj nuk mund të shkelin ligjin dhe Rregulloren e Parlamentit.

Açka i ka kërkuar në emër të komisionit, Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës që të informohet për depozitimin e ndonjë kërkese në protokollin e Kuvendit për mbledhje të KPEMIP nga dy deputetët.

REAGIMI I AÇKËS
Puç në Parlament për të zgjatur mandatin e Skënder Gjinushit
Deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj nuk mund të shkelin ligjin dhe Rregulloren e Parlamentit
Në vëmendje të Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonjës Lindita Nikolla
Në vëmendje të medias shqiptare
Sot, pikërisht në ditën e mbarimit të mandatit të Skëmder Gjinushit si Kryetar i Akademisë së Shkencave të RSH, kur të gjitha komisionet parlamentare e kanë mbyllur sesionin e punës së tyre dhe kanë dorëzuar (sipas rregullores së Parlamentit 48 orë më parë) të gjitha vendimet për seancën e nesërme të Parlamentit, dy anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik (KPEMIP), deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, po përgatisin një puç parlamentar, duke stisur një mbledhje jashtë rendit tê KPEMIP-së, për të kaluar në votim projektligjin e tyre famëkeq, që ia zgjat jetën në drejtimin e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi.
Me forma tipike ilegale, me një ngut të pajustifikuar, në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Parlamentit, duke i bërë presion të hapur kolegëve të shumicës, anëtarë të KPEMIP, duke e detyruar hapur stafin e komisionit dhe stafin e Kuvendit që mbikëqyr punën e komisioneve që të shkelë Rregulloren, në sulm të hapur ndaj zgjedhjeve të lira në Akademinë e Shkencave të RSH dhe kundër dëshirës së Asamblesë së ASH-së, në fyerje të hapur të autonomisë që i jep ligji këtij institucioni, këta dy kolegë po përpiqen ta quajnë të kryer misionin e tyre të nisur prej muajsh në shërbim personal ndaj Skënder Gjinushit.

Në të gjitha hallkat e shqyrtimi të projektligjit të sjellë në Kuvend nga kolegët Koçi e Beqiraj, ka pasur shkelje, mospërputhje ligjore, manipulime të dokumentacionit të ardhur nga ASH dhe nonsense që kërkojnë kohën e vet për një produkt cilësor. Nxitimi ka vetëm një qëllim, siç ka edhe ligji vetëm një emër: të shpëtojmë kryetarin e ikur të ASH, edhe pse për ta bërë këtë shkelet ligji hapur faqe shqiptarëve.
Si titullare e këtij komisioni i bëj me dije Kryetares së Kuvendit se deri në këto çaste nuk jam informuar për depozitimin e ndonjë kërkese në protokollin e Kuvendit për mbledhje të KPEMIP nga dy deputetët. Vetëm pas martjes së kërkesës, si drejtuese kam detyrimin ta shqyrtoj dhe të vendos datën dhe orën e mbledhjes, sipas Rregullores.
I bëj thirrje dy kolegëve deputetë të respektojnë Rregulloren e Kuvendit për thirrjen e mbledhjes së Komisionit Parlamentar dhe të mos urdhërojnë kolegët në forma private dhe jo institucionale dhe jashtë hierarkisë së përcaktuar nga kjo Rregullore. Mënyra e mbledhjes së Komisionit Parlamentar dhe procedura e mbarëvajtjes së tij është pērcaktuar shumë qartë në ligj.
Ata nuk kanë asnjë të drejtë që krizën që po kalon Akademia e Shkencave për shkak të drejtimit të saj autoritarian, t’ia transmetojnë kolegëve të tyre të Komisionit.
I bëjë thirrje kolegëve deputetë të shumicës që kanë nën presion e vazhdueshëm të ethes Gjinushiane që KPEMIP po kalon prej muajsh, të mos bie prehë e aktive joinstitucionale dhe të ngrihen në përgjegjësinë e respektimit të ligjit, për të cilin janë betuar.
I bëj thirrje stafit të Komisionit dhe stafit të Kuvendit të Shqipërisë që të respektojnë Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë dhe të mos bëjnë lojën e asnjë maskarade politike e që do t’i ngarkojë me përgjegjësi,
Para ligjit jemi të gjithë të barabartë dhe atë e garanton më së pari Kuvendi i Shqipërisë. Nëse nuk ndodh kjo as në Kuvendin e Shqipërisë, ai do të kthehet në gazerma shkeljeve ligjore dhe Shqipëria nē një republikës antikuahtetuese.
Flutura Açka
Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik
()

AlbaniaWeb.net