Bernardo Silva mund të kalojë te PSG, Manchester City “tremb” Interin, synon yllin e mesfushës zikaltër
Në një treg ku të gjithë luajnë me efektin domino, rreziku është të përballesh me oferta që është e pamundur të refuzohen. Mund të ndodhë edhe me Interin, i cili pas Onanës mund të humbasë një tjetër protagonist të sezonit të kaluar.
Manchester City i ka idetë shumë të qarta. Në rast të largimit të Bernardo Silvës drejt PSG, emri i parë në listën e “Qytetarëve” është Nico Barella i Interit. Barella ndryshon nga Bernardo Silva, ka karakteristika krejt të ndryshme, por cilësia dhe temperamenti i tij bënë që kampionët e Europës të dashurohen me të.
Trajneri i Citizens, Guardiola gjithashtu ka mbetur i impresionuar nga mesfushori italian dhe e konsideron perfekt për formacionin e sezonit të ri. Do tentohet të kopjohet një operacion si ai që dërgoi Declan Rice te Arsenali, pra në tavolinën e Interit mund të ketë një ofertë që shkon deri te 120 milionë euro, shifër e parefuzueshme.
()