Mon, Nov 25, 2024

Planifikuan të kryenin atentat në Berat, por u zbuluan nga policia, zbardhen detaje nga dosja. Shënjestra dyshohet se ishte në lagjen “Kala”

  • PublishedJuly 20, 2023

Zbardhen detaje nga ngjarja e ndodhur disa javë më parë në Berat që alarmoi policinë dhe solli shpalljen në kërkim të tre personave.

Tre shtetasit e identifikuar nga policia si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe të shpallur tashmë në kërkim Hamit Berisha, 55 vjeç, banues në Kosovë dhe dy korçarët Ermal Gora, 45 vjeç dhe Arli Shehu, 30 vjeç (i arrestuar), kishin planifikuar të kryenin një atentat ndaj një shtetasi në Berat, por u pikasën nga policia dhe mundën t’i shpëtonin edhe postblloqeve të shumta të ngritura në çdo dalje të qytetit mbrëmjen e 31 majit.

Këta tre shtetas kishin planifikuar të kryenin atentat në Berat, por automjeti me sendet që do përdoreshin për vrasje u kapë nga policia. News24 ka zbuluar detaje nga dosja hetimore në lidhje me lëvizjet e atentatorëve, ku sipas hetimeve, shënjestra e atentatit dyshohet se ishte në lagjen “Kala”.

Në dosjen hetimore thuhet se mjeti i sekuestruar nga policia me sendet që do përdoreshin në atentat ishte marrë me qira nga atentatorët në qytetin e Kavajës në datën 17 maj. Atentatorët nuk kanë qenë në dijeni se mjeti kishte GPS dhe kjo ka bërë të mundur që policia të zbulojë lëvizjet e tyre në Berat deri ditën e braktisjes së mjetit, pasi u pikasën nga policia. Sipas GPS të mjetit, mësohet se atentatorët, pasi e kanë marrë me qira makinën në 17 maj, janë nisur drejt Beratit.

Ata kanë shkuar fillimisht në fshatin Dyshnik në Berat, më pas janë futur në Kalanë e Beratit ku mjeti ka qëndruar i parkuar disa orë, pasi kanë zbritur nga Kalaja ata kanë bërë një ndalesë në Varrezat e Burdulliasit, janë futur 3 herë në lagjen “Vakëf” në Berat, kanë shkuar prapë në Kala dhe më pas janë nisur drejt qytetit të Tiranës.

Në datën 19 maj, mjeti ka ardhur përsëri në Berat dhe ka qëndruar i parkuar sërish për disa orë në Kalanë e qytetit dhe direkt nga Kalaja është nisur në Tiranë. Edhe në datën 20 maj, mjeti ka ardhur dhe ka bërë të njëjtin itinerar me një ditë më parë, Tiranë-Kala-Tiranë.

Për tre ditë me radhë mjeti nuk ka dalë nga Tirana dhe specialistët e hetimit të krimit në DVP Berat mendojnë se gjatë këtyre 3 ditëve ata kanë siguruar materialet që u duheshin për atentatin, pasi kishin gjurmuar për disa ditë lëvizjet e shënjestrës së tyre.

Në datën 24 maj automjeti ka ardhur në Berat dhe ka qëndruar thuajse gjithë ditën në lagjen “Kala” dhe më pas është lënë në dalje të qytetit, bashkë me të gjitha mjetet e nevojshme që do përdoreshin për atentatin.

Pas kësaj dite, atentatorët mendohet se kanë ardhur edhe ditë të tjera në Berat me mjet tjetër, deri në 31 maj kur edhe u pikasën lëvizjet e tyre të dyshimta në afërsi të mjetit që kishin lënë të parkuar në dalje të qytetit, por ende nuk dihen lëvizjet e tyre në Berat gjatë periudhës 5-ditore (26-31 Maj).

SI NDODHI NGJARJA DHE SI U KAP AUTOMJETI I ATENTATORËVE

Në 31 maj, Drejtoria Vendore e Policisë Berat, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa shtetas do të kryenin një vrasje në qarkun e Beratit, kanë bërë të mundur gjetjen e automjetit të atentatorëve, duke parandaluar atentatin e mirëorganizuar nga një grup i strukturuar kriminal.

Në automjetin e sekuestruar nga policia, i braktisur nga atentatorët në dalje të qytetit të Beratit, policia gjeti dhe sekuestroi një motomjet të vjedhur, 2 skafandra, veshje kamuflazhi (xhup meshini), dy radio marrëse-dhënëse, një armë zjarri automatik me silenciator, një pistoletë me silenciator, dylbi, dorashka, një mjet prerës (thikë), një sasi municioni luftarak, bidonë me benzinë dhe sende të tjera që do të përdoreshin për realizimin e vrasjes së një shtetasi. Edhe pse policia ngriti menjëherë pika kontrolli me shërbime grackë, në disa rrugë dhe fshatra ku dyshohej se mund të kryhej kjo ngjarje kriminale, atentatorët u larguan nga qyteti nëpërmjet zonave të pyllëzuara, duke përfituar nga errësira. Pasi u sekuestruan kamerat e sigurisë të zonës përreth vendit ku u gjet mjeti, policia identifikoi autorët: shtetasit: Hamit Berisha, 55 vjeç, banues në Kosovë dhe dy korçarët Arli Shehu, 30 vjeç dhe Ermal Gora, 45 vjeç, të cilët u shpallën në kërkim.

AlbaniaWeb.net