Pezullimi i fondeve të IPARD në bujqësi, Panariti: Njollë e zezë për AZHBR-në. Skenari më i keq, qeveria i kthen paratë mbrapsht BE-së
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka komentuar vendimin e Komisionit Europian, i cili ka pezulluar fondet për bujqësinë në vendin tonë, pas dyshimeve për korrupsion. Bëhet fjalë për fonde të programit IPARD.
Në një lidhje përmes skype-s, Panariti tha se kjo është një njollë e zezë për institucionin e AZHBR-së, ndërsa skenari më i keq është ai që BE do të detyrojë shtetin shqiptar që të kthejë paratë mbrapsht.
“Është ndërprerë burimi më i rëndësishëm financiar i bujqësisë, që është fondi IPARD. Ndodheshim në procesin e ekzekutimit të fondeve IPARD II. Kemi pezullim dhe ndërprerje të këtyre fondeve. Një pjesë e madhe e atyre që kanë aplikuar këto fonde grante, që për të filluar investimin janë mbështetur te kreditë. Këtë investim do ta mbulonte një pjesë këto fonde, ndaj ata ndodhen para dilemës që do ta vazhdojnë apo jo investimin. Ministrja dje në Kuvend duhet të qetësonte këta fermerë. Organizmat europianë kanë dhe si rol të një prokurorie, OLAF është organ hetimor krejtësisht i pavarur.
Ka marrë këtë operacion blic në AZHBR. AZHBR, agjencia e pagesave e autorizuar për të përthithur fondet, është nën hetim dhe kjo padyshim është një njollë për institucionet shqiptare. Nëse verifikohet që ka abuzime, BE do të kërkojë që shteti shqiptar të kthejë pas paret. S’e mendoj se BE do ta ndërpresë fondet për Shqipërinë, se ato i shkojnë fermerëve dhe jo qeverisë. Por mund të ndodh që këto fonde mos t’i shkojnë më AZHBR-së. Efekti i parë po ndihet, organizata i ka bërë thirrje KE për të ndërprerë fondet. Se di se sa do të vazhdojë. Nuk besoj se do të ndodh, pasi BE do të gjejë rrugë alternative, që këto fonde t’i shpëtojnë mekanizmave të abuzimit. BE është i rreptë për të ruajtur paratë e taksapaguesve europianë.”, tha Panariti.
()