Protestojnë banorët e fshatit Kamenicë: Prej dy vitesh nuk kemi ujë për vaditje, janë tharë tokat
Prej dy vitesh banorët e fshatit Kamenicë të bashkisë Korçë nuk kanë ujë për te vaditur tokat bujqësore.
Ata kanë protestuar këtë të premte në fshat me qëllimin kryesor për të rikthyer ujin duke i bërë thirrje në këtë mënyrë bashkisë që problemi i tyre të marrë zgjidhje.
Mungesa e ujit vaditës për tokat bujqësore mbetet problemi kryesor që për 2 vite me radhë nuk ka gjetur zgjidhje.
Duke qenë se bujqësia është një nga sektorët kryesorë ku banorët investojnë më së shumti për të ardhurat në familje ata thonë se mungesa e ujit i ka çuar në faliment pasi prodhimet e tyre kanë shkuar dëm.
Ka edhe nga ata fermerë që tokat i kanë lënë djerrë pikërisht si pasojë e mungesës së ujit vaditës.
Banorët thonë se me ndërtimin e ujësjellësit të ri uji për të vaditur tokat e tyre ka shteruar. Gishtin e drejtojnë nga bashkia dhe keqmenaxhimi i tyre.
Përveç thirrjeve të vazhdueshme banorët së fundmi kanë bërë edhe një peticion me firmat e 42 banorëve të cilën do ta drejtojnë në institucionet përkatëse për dhjetëra hektarë të tharë. Përveç këtij problemi banorët thonë se hasin edhe vështirësi të tjera në fshat. Një ndër to është pikërisht mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza.