“Në liqen ka gropa të mëdha”, dëshmia tronditëse e shefit të zjarrfikëses në Gramsh: 4 viktimat s’dinin not, kanë mbytur njëri-tjetrin
Shefi i Zjarrfikëses në Gramsh ka treguar detaje tragjike nga mbytja e 4 personave dje në liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Ai tha për mediat se pasi personi i parë ka hyrë për t’u larë dhe nuk rrezikuar të mbytej, kanë shkuar të gjithë me radhë dhe kanë mbytur njëri-tjetrin. Ilir Llapushi tha se në liqen ka gropa që janë hapur në kohën kur u ndërtua HEC-i, ndërsa për ata që nuk dinë not është shumë e vështirë për të dalë.
“Ngjarja është e rëndë. Babai me dy djemtë e vetë kanë ardhur për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është mbytur i pari dhe kanë shkuar me radhë të shpëtojnë njëri-tjetrin, dhe djali i ri. Asnjë prej tyre nuk ka ditur not. Ka pasur disa gropa që janë bërë gjatë kohës kur u bë Hec-i i Banjës. Ato gropa kur futesh menjëherë të zhysin dhe ata kur janë larë, kanë përfunduar në këto gropa dhe duke mos ditur not kanë mbytur njëri-tjetrin. Liqeni është i thellë i gjithë. Dihet që nuk duhet të hyjnë njerëzit që dinë not. Ne si shërbim zjarrfikëse kemi qenë këtu dhe dje. Sot nuk erdhëm, qëlloi shumë keq që nuk ishim. Nuk ka nevojë për roje, këtu nuk lahet njeri tjetër. Këtu janë larë, por nuk lahet njeri. Një njeri që nuk di not, nuk duhet të futet për t’u larë, absolutisht jo.”, tha ai.
Pas 90 minutash kërkime, katër viktimat; Arben Zogu 46 vjeç dhe dy djemtë e tij, Ruben dhe Esti Zogu dhe nipi, Melsi Zogu, 20 vjeç, u nxorën të pajetë nga liqeni me ndihmën e palombarëve.
()