Partizani të dielën niset drejt Andorrës, kualifikimi është detyrë, Tirana do tentojë mrekullinë ndaj Beshiktashit
Pavarësisht se u eliminua nga Champions League, Partizani do të vijojë aventurën evropiane, kësaj here në turin e dytë kualifikues të Conference League. Dhe shanset për të shkuar në turin e tretë janë shumë të mëdha, pasi përballë do të jetë skuadra e Andorrës, Athletic D’eskaldes.
Një ekip modest i krijuar vetëm 20 vite më parë dhe vetëm një herë kampion i Andorrës, ndërsa në Evropë merr pjesë për herë të dytë, këtë vit i eliminuar që në turin paraeliminator të Champions.
Me pak fjalë, kampionët e Shqipërisë e kanë për detyrë kualifikimin. Ndeshja e parë do të luhet në Andorrë, të martën, duke nisur prej orës 17:00, por të kuqtë do të nisen në këtë transfertë që të dielën.
Në turin e dytë të Conference League do të vijojë aventurën edhe Tirana, që mori një fitore të vyer kundër gjeorgjianëve të Dinamo Batumit në transfertë. Bardheblutë do të kenë përballë gjigantët turq të Beshiktashit, me ndeshjen e parë që do të luhet në Stamboll të enjten në orën 20:00.
Pavarësisht shkallës së vështirësisë, Tirana do të mundohet të bëjë mrekullinë. Nënkampionët e Shqipërisë do të nisen të mërkurën drejt Stambollit, me presidencën bardheblu që ka vënë super shpërblim në rast kualifikimi.
()