“Çadër për të gjitha nismat është Procesi i Berlinit”/ Presidenti i Maqedonisë së Veriut Pendarovski vizitë në Pustec, ja çfarë thotë për Ballkanin e Hapur
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi ka zhvilluar një vizitë pune në Pustec me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Veç takimeve me përfaqësues të pakicës kombëtare maqedonase në zonë, dy presidentët vizituan Shtëpinë Muze “Sterjo Spasse” në Gollomboç. Begaj u kujdes të vërë në dukje rolin e shqiptarëve në stabilitetin e Maqedonisë së Veriut.
Një vit më parë Pendarovski shprehej se Ballkani i Hapur ishte ide e mirë, por jo alternativë për BE-në dhe se nisma nuk do të kishte sukses përderisa nuk ishin përfshirë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. I pyetur për nismën, pas mbylljes së saj, Pendarovksi tha:
“Ballkani i Hapur që nga fillimi ishte një bashkëpunim rajonal mes shteteve të Ballkanit. Ka mbi 50 nisma për bashkëpunim, e Ballkani i Hapur ishte një prej tyre. Është e pakontestueshme për 6 vendet që janë pjesë e Ballkanit të Hapur, se çadër për të gjitha nismat është Procesi i Berlinit, i cili ka marrëdhënie strukturore më të sakta se Ballkani i Hapur”.
Të shoqëruar nga autoritete vendore të Bashkisë e të Qarkut të Korçës, dy presidentët me zonjat e para u ndalën edhe në pika turistike të zonës dhe në Pogradec.