Manchester United i tregon “dhëmbët” Arsenalit, Chelsea i falet blerjes së re për të mposhtur Brighton
Manchester United synon të jetë protagonist për titull në sezonin e ri, pavarësisht konkurrencës së fortë në Premier League. Djajtë e Kuq treguan forcën në miqësoren e parë, duke mposhtur 2-0 nënkampionët e Arsenalit, sfidë e luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një stadium të mbushur plot në Nju Xhersi.
Ndeshja foli më shumë për të besuarit e ten Hag, të cilët në minutën e 30’ gjetën golin me anë të Bruno Fernandesh dhe 7 minuta më vonë ishte Sancho ai që dyfishoi shifrat. Pjesa e dytë u mbyll pa gola, por për të argëtuar publikun e pranishëm, të dyja skuadrat zgjodhën që të kryenin dhe goditjet e penalltive, nga të cilat sërish fitoi United.
Ndërsa Chelsea ka arritur të marrë fitoren e dytë radhazi në po kaq sfida të luajtura gjatë fazës përgatitore, me “Blutë” që kësaj radhe mundën Brighton në një sfidë spekatakolare me shtatë gola. Sfida nisi më mirë për skuadrën e De Zerbit, e cila kaloi në avantazh në minutën e 13’ me Wellbek, por vetëm gjashtë minuta më vonë ishte Nkunku ai që barazoi rezultatin.
Në pjesën e dytë ai që shkëlqeu ishte sulmuesi i sapoardhur i bluve, Jacson, i cili asistoi Mudrik dhe Gallager për të shënuar golin e dytë dhe të tretë, përpara se të shënonte vetë golin e katërt. Gjithsesi sfida u ndez sërish në fund, me Pedron dhe Undav që rihapën sërish sfidën, por londinezët e mbyllën me fitore 4-3.
()