Wed, Nov 27, 2024

Laboratori për prodhimin e dokumenteve false, lihen në burg 3 të arrestuarit në Korçë, paguheshin 300-10000 euro

  • PublishedJuly 24, 2023

KORÇË

Arrest me burg për 3 shtetasit Artur Rakip, Thanas Sholla dhe Besnik Dine.

Për dy shtetasit e fundit seanca u zhvillua dje ndërsa për shtetasin Artur Rakip me precedent të mëparshëm penal në fushën e falsifikimit të dokumenteve, seanca u mbajt sot.

Këta shtetas u arrestuan pas një hetimi 5-mujor, operacion ky që shërben për goditjen e falsifikimit të dokumenteve me qëllim parandalimin e migrimit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kanadasë dhe në hapësirën SCHENGEN.

Këta shtetas prodhonin dhe pajisnin me dokumente të falsifikuara udhëtimi, identifikimi, diplomimi, leje drejtimi dhe qëndrimi, shtetas shqiptarë dhe të huaj për të udhëtuar nëpër botë kundrejt pagesës 300-10000 euro.

Ndërsa nga policia u sekuestruan një laborator që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, qindra dokumente të falsifikuara, fotokopje dokumentesh të huaja dhe shqiptare, të dyshuara të falsifikuara, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe plastifikimi, vula, simbole, emblema të shteteve të huaja, automjete, shuma parash të siguruara nga ky aktivitet.
Megaoperacioni vijon edhe për persona të tjerë të përfshirë.

AlbaniaWeb.net