Tue, Nov 26, 2024

Shkrumbohen 30 hektarë pyll në Peshtan të Fierit, pas ndërhyrjes nga ajri me helikopter, normalizohet situata

  • PublishedJuly 24, 2023

Mëngjesin e kësaj të hënë situata konsiderohet e normalizuar pas shuarjes së zjarrit në masivin pyjor me pisha në kodrat e Peshtanit në Fier. Prej mbrëmjes së djeshme zjarri është shuar dhe vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit e Roskovecit dhe ndërhyrjes nga ajri të helikopterit. Pasditja e djeshme ka qenë edhe më kritike nga zjarri pasi u rindez dhe doli jashtë kontrollit duke shkuar në afërsi të rrugës rurale Fier-Cakran. Nisur nga kjo situatë dhe terreni i vështirë që bën të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, u kërkua ndihma dhe ndërhyrja e helikopterit që pas një operacioni prej mbi një orë e gjysmë ka arritur të ndal përhapjen e flakëve në masivet me ullinj.

Kujtojmë gjithashtu se gjatë pasdites së djeshme ka zbritur vet në terren ku ka inspektuar situatën edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili është shprehur se për zjarrvënësit do të ketë ndëshkim sipas ligjit.
Pas zjarrit që përfshiu masivin pyjor me pisha në Peshtan të Fierit organet e drejtësisë dhe policia kanë zbuluar dhe kanë bërë arrestimin e një 28-vjeçari si shkaktarin e zjarrvëniës.

Duke iu referuar informacioneve të marra nga drejtuesi i zjarrfikësve të Fierit, Zija Hyka pas 3 ditësh në lufte me flaket demi i shkaktuar në këtë zonë shkon në 30 ha kryesisht pyll pishë dhe dushk. Në masivin pyjor në Peshtan kanë shkuar sot rreth 40 forca të ushtrisë dhe 30 forca zjarrfikëse si dhe 3 mjete zjarrfikëse qe po monitorojnë situatën në të gjithë vijën e zjarrit. Sipas drejtuesit të zjarrfikësve ditën e sotme po bëhet e mundur shuarja e vatrave të zjarrit të vogla në dukje, por që mund të riaktivizohen nga temperaturat e larta dhe influencimi nga era.
()

AlbaniaWeb.net