Tue, Nov 26, 2024

Bardhi mbledh të enjten Këshillin Kombëtar/ Lubonja: Shantazh dhe lojë e radhës. Të paaftë për të dalë përtej interesave personale!

  • PublishedJuly 25, 2023

Analisti Fatos Lubonja, teksa foli për situatën e brendshme në Partinë Demokratike, e cilësoi atë një tragjikomedi.

I ndalur tek çështja e vulës, Lubonja tha se po bëhet një histori e përsëritur, duke shtuar se kthimi i Lulzim Bashës pas një kohë heshtje është mungesë serioziteti.

“Tragjikomedi situata në PD. Ngjarjet në PD janë problem edhe i Shqipërisë. Përshtypja ime ka qenë që Bardhi është njeri i afërt me Bashës, por prishjen  e marrëdhënieve mund të them se ndoshta nuk e priste kthimin e Bashës. Në analizën e tij thotë se me Bashën PD nuk ka asnjë shans. Por për ndarjen e partisë janë të gjithë përgjegjës. Besoj se edhe pse pa ditur detaje, në thelb shihet paaftësia për t’u bërë bashkë përtej interesit personal”, tha ndër të tjera Lubonja.

Sa i përket çështjes së vulës dhe mbledhjes së thirrur nga Gazment Bardhi, Lubonja tha se politikën e kanë kthyer në dyqan për të nxjerrë fitime, dhe sipas tij qëllimi i Bardhit është të qëndrojë në politikë.

“Për mua që kur është bërë ballafaqimi i dy Këshillave Kombëtare, u pa se kush kishte mazhorancën dhe kush jo. Basha ishte përjashtuar nga partia. Mbledhja e thirrur nga Bardhi, ndoshta është një shantazhim, një lojë që bën Bardhi. Një lojë siç e bën Basha, me pretendimin për të qëndruar në politikë. Politikën këta e kanë bërë si dyqan për të nxjerrë fitime. Dikush e ka më të madh, dikush më të vogël. Tani edhe Bardhi thotë edhe unë dua të rri në politikë, ka hallin e dyqanit të vet, këta duket sikur nuk janë të zot për të bërë punë të tjera”, u shpreh ai.

Kujtojmë se Bardhi ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti, që kur partia është pa kryetar, Statuti parashikon që është Sekretari i Përgjithshëm ai që ka të drejtën të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Sakaq mbledhja e Këshillit Kombëtar parashikohet të zhvillohet online dhe për organizimin e saj Sekretari i Përgjithshëm ka ngarkuar Sekretariatin e Këshillit Kombëtar. Ky hap vjen pas kërkesës së 7 deputetëve të PD për të pezulluar zgjedhjet e 29 korrikut për kryetarin e partisë.

()

AlbaniaWeb.net