Gjyqtari Erarbër Madhi kërkon t’i hiqet barra e provës për pasurinë e trashëguar nga prindërit
Gjyqtari Erarbër Madhi kërkoi konfirmim në detyrë para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të martën, ndërsa avokati i tij e cilësoi atë “një aset për sistemin gjyqësor” dhe “një intelektual që mund të kontribuojë” për sistemin. Procesi i apelimit për këtë subjekt të rivlerësimit u mbyll në këtë mënyrë me pretendimet përfundimtare të subjektit ndërsa trupi gjykues u tërhoq për vendim dhe njoftoi se vendimi do të shpallet të enjten.
Madhi ka punuar prej 19 vjetësh në sistemin gjyqësor në Fier, Vlorë dhe në Gjykatën Administrative të Tiranës që nga viti 2013. Ai u konfirmua në shkurt të këtij viti nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash, ndërsa një prej anëtareve në opionin pakice deklaroi se mendonte se ai duhej shkarkuar, pasi pasuri me vlerë totale prej 20.7 milionë lekësh të trashëguar nga prindërit, duhej të ishin pasuri e fshehur e tij.
Në pretendimet përfundimtare, Madhi i qëndroi linjës së mbrojtjes në KPK duke pretenduar se i ati kishte vënë mënjanë paratë përmes punës së tij si ekspert i armëve kimike në shërbim të organizmave ndërkombëtare, si NATO, ndërsa ai gjendej në pamundësinë objektive për vërtetimin e ligjshmërisë së këtyre të ardhurave për shkak se NATO nuk ka kthyer përgjigje.
Avokati i tij theksoi gjithashtu se Madhit nuk mund t’i kërkohet barrë prove për vërtetimin e burimit të prindërve për shkak se këta të fundit janë ndarë nga jeta dhe nuk mund të konsiderohen persona të lidhur me të. Avokati Julian Mërtiri argumentoi se, nëse e ëma e subjektit nuk do të ishte ndarë nga jeta deri pas procesit të rivlerësimit, subjektit nuk do t’i dilte nevoja që të shpjegonte origjinën e këtyre pasurive dhe po kështu do të kishte ndodhur në rast se Madhi do të kishte kërkuar çeljen e trashëgimisë ligjore në përfundim të procesit të rivlerësimit dhe jo para tij.
Sipas Madhit, i ati numëron rreth 800 ditë pune udhëtimi, dietat për të cilat janë paguar cash. Nga këto para, ai pretendon se kanë lindur pasuritë, ndërsa thekson se paratë janë ruajtur cash në shtëpi për shkak se prindërit nuk kishin besim te sistemi bankar.
Argumentet e tij, të dhëna fillimisht në KPK, nuk e bindën Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili kërkoi apelim dhe shkarkim, dhe as komisionerin publik.
Në një seancë të mëparshme, vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler pyeti nëse Madhe e dinte se në cilin vend në shtëpi ruheshin shumat e pretenduara cash, afërsisht 350 mijë dollarë.
“A mos ishin në një kuti këpucësh?” pyeti ai dukshëm me ironi.
Trupa e Kolegjit që ka marrë në shqyrtim çështjen e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me anëtare Ina Rama, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Mimoza Tasi.