Al Hilal si “varkë shpëtimi”, Mbappe përdor milionat saudite për të realizuar ëndrrën e tij
Kylian Mbappe-Real Madrid është një marrëdhënie e destinuar të përfundojë në “martesë”, për këtë janë të bindur të gjithë, përfshi këtu edhe drejtuesit e PSG, pyetja e duhur që shtohet është se kur do të ndodhë? Ylli francez dhe drejtuesit e klubit vijojnë betejën në distancë, të vendosur në dy fronte të ndryshme, PSG kërkon ta shes sa më parë për të mos e humbur falas, ndërsa Mbappe po bën gjithçka që në 2024, vit kur i përfundon kontrata, të shkojë falas në Madrid.
Mes PSG dhe Mbappe së fundmi është futur edhe Al Hilal, klubi saudit që i ka vendosur palëve në tavolinë një paketë prej 700 milionë euro, 300 për klubin dhe 400 për lojtarin. Në këtë pikë edhe Mbappe po tundohet, jo më shumë nga ideja se do të transferohet në Arabinë Saudite, por më këtë lëvizje Mbappe mund të realizojë ëndrrën e tij, të transferohet në Madrid.
Mediat spanjolle, por dhe ato angleze, kanë zbuluar lëvizjen e radhës të Mbappes. Përfaqësuesit e tij po negociojnë me Al Hilal, në mënyrë që Mbappe mund të transferohet në Arabinë Saudite, por vetëm për një vit, për tu bashkuar më pas me Realin në 2024. Është e qartë se PSG nuk ka ndërmend ta lë të lirë për tu bashkuar këtë verë me Reali, as Perez nuk ka ndërmend të paguajë 200 milionë euro për një lojtar që është në përfundim të kontratës, në këto kushte Al Hilal duket trampolina ideale për të vënë në jetë ëndrrën e tij.
()