KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Gentian Stoja
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjn e të mërkurës më 26 korrik vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit të ish-prokurorit të Korçës, Gentian Stoja. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me telatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të kryer nga Stoja kundër vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.
Soja u shkarkua me nga Komisioni me shumicë votash më 8 qershor 2021 për probleme në kriterin e pasurisë. Stoja mori vlerësim minimal për profesionalizmin, ndërkohë që Komisioni rrëzoi si të pabazuar raportin negativ të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK për pastërtinë e figurës.
Gentian Stoja e nisi karrierën në vitin 2000 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua në vitin 2009 dhe prej asaj kohe e deri në shkarkimin nga detyra e ushtroi funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.