KPA vendos shkarkimin e gjyqtarit Erarbër Madhi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 27 korrik të ndryshojë vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Tiranë, Erarbër Madhi dhe e shkarkoi atë për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe për fshehje në emër të nënës të një apartamenti dhe një investimi në bono thesari.
Madhi ka punuar prej 19 vjetësh në sistemin gjyqësor në Fier, Vlorë dhe në Gjykatën Administrative të Tiranës që nga viti 2013. Ai u konfirmua në shkurt të këtij viti nga Komisioni me shumicë votash, pasi një prej anëtareve në opionin pakice çmoi se ai duhej shkarkuar, pasi pasuri me vlerë totale prej 20.7 milionë lekësh të trashëguara nga prindërit, duhej të ishin pasuri e fshehur e tij.
Në pretendimet përfundimtare, Madhi i qëndroi linjës së mbrojtjes në KPK duke pretenduar se i ati kishte vënë mënjanë paratë përmes punës së tij si ekspert i armëve kimike në shërbim të organizmave ndërkombëtare, si NATO, ndërsa ai gjendej në pamundësinë objektive për vërtetimin e ligjshmërisë së këtyre të ardhurave për shkak se NATO nuk ka kthyer përgjigje.
Duke iu referuar rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi konfirmimin e Madhit dhe u qëndroi shkaqeve të ngritura se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë e për rjedhojë duhet shkarkuar.
Ish-gjyqtari Madhi dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Julian Mërtiri nuk ishin të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.
Kryesuesja e trupit gjykues të KPA, Rezarta Schuetz sqaroi gjatë shpalljes së vendimit, se megjithëse pasuritë që janë fituar prej subjektit me trashëgimi ligjore, një apartament në Tiranë më sipërfaqe 124.2 m2 dhe bono thesari me vlerë 4 milionë lekë, nuk janë pasqyruar prej tij në deklaratën veting, organet e rivlerësimit të magjistratëve kanë detyrim për të kryer hetim mbi çdo pasuri për të cilën ka të dhëna apo dyshime të arsyeshme se është një pasuri e fshehur e subjektit, pavarësisht se ajo mbahet në emër të personave të lidhur apo shtetasve të tjerë të cilët nuk kanë asnjë lidhje me të.
Sipas Schuetz, argumentet e subjektit lidhur me statusin ligjor të nënës së tij në raport me procesin e rivlerësimit, u konsideruan nga Kolegji si pa lidhje dhe jashtë kontekstit të kësaj çështjeje.
“Trupi gjykues arrin në konkluzionin se subjekti rivlerësimit nuk provon bindshëm ekzistencën e të ardhurave të ligjshme dhe kursimeve të prindërve të tij, të cilat pretendon se kanë shërbyer për krijimin e këtyre dy pasurive,” deklaroi Schuetz dhe renditi rrethanat mbi të cilat është aritur ky përfundim.
Sipas Kolegjit, subjekti nuk arriti të provojë se prindërit kanë gjeneruar të ardhura të mjaftueshme për investimin në bono thesari nga nëna e subjektit në vitin 2009 dhe blerjen e apartamentit në vitin 2012. Po ashtu, nuk është vërtetuar se kursimet janë mbajtur cash në banesë nga prindërit për disa vite.
Një tjetër rrethanë që konstaton Kolegji, është ndarja e subjektit nga trungu familjar, vetëm katër ditë pas blerjes së apartamentit nga nëna. Ndërkohë, pasuritë janë krijuar kur subjekti ka qenë në të njëjtën certifikatë familjare me prindërit dhe në ushtrim të funksionit të gjyqtarit.
Kolegji vëren se subjekti nuk ka deklaruar në vite të drejtat pasurore të fituara nga trashëgimia ligjore pas vdekjes së të atit në 2005-ën, si dhe nëna nuk e ka përdorur për banim apo për të krijuar të ardhura apartamentin e blerë në vitin 2012
“Deklarimet kontradiktore të subjektit mbi adresat e banimit të tij dhe të nënës së tij për periudhën 2004-2019 në shtëpitë e marra me qira, të cilat pamundësojnë sqarimin e situatës faktike përsa i përket bashkëjetesës së tyre, veçanërisht në vitet 2005-2012. Për rrjedhojë, në vlerësimin tërësor të rrethanave arrihet në përfundimin se këto dy pasuri nuk e kanë burimin nga të ardhurat e prindërve të subjektit, por nga burime të padeklaruara prej tij,” tha Schuetz dhe shtoi se Kolegji vlerëson se apartamenti dhe likujditetet janë pasuri të fshehura të subjektit të rivlerësimit.
Në përfundim, trupi gjykues i KPA vlerëson se subjekti nuk arrin nivel të besueshëm të pasurisë pasi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe vendosi shkarkimin e tij nga detyra, duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.