Përfundon mbledhja e Këshillit Kombëtar, Bardhi rendit vendimet e marra: Veprimet e Kryesisë kanë përçarë partinë
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes online të Këshillit Kombëtar, tha se është marrë vendimi për rrëzimin e të gjitha vendimeve që janë marrë në 23 qershor të këtij viti.
Po ashtu ai ka renditur të gjitha vendime te marra sot.
“Këshilli si organi drejtues më i lartë i PD konstatoi se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kourum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë. Aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor”, tha ai.
Kujtojmë se në këtë mbledhje janë marrë vendimet e mëposhtme:
SHTYHET VENDIMMARRJA PËR CAKTIMIN E DREJTUESIT TË PARTISË
Pas relatimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Këshilli Kombëtar ka konstatuar dhe pranuar dorëheqjen e datës 21 mars 2022 të Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha; dhe dorëheqjen e datë 17 Maj 2023 të Nënkryetari të Partisë Demokratike z. Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë, u shtyu për në një mbledhje tjetër vlerësimin mbi dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, të cilët i qëndrojnë dorëheqjes së tyre, edhe pse dorëheqjet e tyre nga ana e Këshillit nuk u konsideruan si të parevokueshme.
DY DITË PARA ZGJEDHJEVE, KËSHILLI KOMBËTAR I PD ANULON ZGJEDHJET PËR KRYETARIN TË 29 KORRIKUT
Këshilli Kombëtar i PD ka vendosur të anulojë zgjedhjet e datës 29 Korrik 2023, duke e konsideruar procesin antistatutor dhe farsë.
KËSHILLI KOMBËTAR PEZULLON NGA FUNKSIONI KRYESINË E PARTISË DEMOKRATIKE
Këshilli Kombëtar vërejti se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kourum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë.
Aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Të gjitha këto vendime janë anulluar dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë veprimtarinë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj.
KËSHILLI KOMBËTAR NGARKON NJË GRUP DEPUTETËSH TË KËRKOJNË ÇREGJISTRIMIN E LULZIM BASHËS NGA REGJISTRI I PARTIVE POLITIKE
Një grup deputetësh janë ngarkuar të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin. Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lart drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike, bazuar edhe në vendimin e KAS për dorëheqjen e tij, që është lënë në fuqi nga gjykata.