Raporti i DASH për klimën e investimeve në Shqipëri/ Meta: Rekord i zi! Kambanë alarmi për rrezikun e falimentimit të ekonomisë
Kreu u Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, të cilën e ka quajtur ‘rekord i zi’.
Në një postim në Facebook, Meta shkruan se të dhënat e Departamentit Amerikan të Shtetit janë një kambanë e fortë alarmi për rrezikun e falimentimit të Shqipërisë dhe nevojës jetike të kthimit të ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Postimi i plotë:
Përkeqësimi i klimës së investimeve në Shqipëri për shkak të korrupsionit të lartë dhe të përhapur në çdo sektor, sipas raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, është një tjetër rekord i zi i Qeverisë me pasoja të rënda dhe afatgjata për ekonominë.
Vendimet arbitrare, politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cënojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë, prokurimet, koncensionet dhe PPP-të abuzive, megaafera e inceneratorëve që nuk ndalet, fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda e lartë, evazioni fiskal, si dhe zhvlerësimi dramatik dhe i qëllimshëm i Euro-s sigurisht që do të sillnin këtë klimë mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj.
“Investitorët e huaj e cilësojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm duke përfshirë sektorin publik, gjyqësorin, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrëmbëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet frekuente të legjislacionit fiskal si dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për të bërë biznes në Shqipëri”, – thuhet në raportin e DASH.
Këto të dhëna tronditëse vijnë vetëm pak kohë pasi edhe Bashkimi Europian ndaloi investimet në bujqësi për shkak të korrupsionit.
Konkluzionet janë një këmbanë e fortë alarmi për rrezikun e falimentimit të Shqipërisë dhe nevojës jetike të kthimit të ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
()