Tue, Nov 26, 2024

Raporti i DASH, Teliti: Shqipëria vend i vështirë për biznes, shkak korrupsioni në sektorin publik. S’ka zgjidhje, pa zgjedhje të lira

  • PublishedJuly 27, 2023

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me raportin e DASH që evidentonte disa problematika në lidhje me klimën e të bërit biznes në vendin tonë.

Në një dalje për mediat, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Dorjan Teliti tha se Shqipëria është një vend i vështirë për biznes, për shkak të korrupsionit në sektorin publik, gjyqësor, prokurime publike, ekonomi informale, konkurrencë të pandershme dhe pastrim parash.

DEKLARATA E TELITIT
Departamenti Amerikan i Shtetit duke e cilësuar, në raportin e fundit, si ‘thellësisht problematike klimën e investimeve në Shqipëri’ ka thënë një të vërtetë të pamohueshme.

Raporti i përvitshëm i DASH është thellësisht më kritik se vitet e shkuara.
Në raport shkruhet e zeza në të bardhë se: “Investitorët e huaj e cilësojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm duke përfshirë sektorin publik, gjyqësorin, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal si dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për të bërë biznes në Shqipëri,”.
Partia Demokratike i përshëndet gjetjet dhe gjuhën e këtij raporti dhe thekson nevojën e hapjes së ekonomisë ndaj konkurrencës së lirë dhe të ndershme. Këtë vit DASH ka përfshirë në raport edhe pastrimin e parave dhe korrupsionin e vazhdueshëm në sektorin publik. Gjithashtu në raport përmenden edhe paratë e trafiqeve ilegale për të cilën kryeministri Rama ka gjetur si zgjidhje amnistinë fiskale.
“Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave e përfshiu Shqipërinë në listën gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në të njëjtën listë edhe për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg,” thuhet në raport.
Ky është një paragraf i ri, i pa hasur në raportet e mëparshme të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri dhe është një goditje frontale për ëndrrën e ligë të Edi Ramës për të amnistuar paratë e bandave të pushtetit të tij.
Një tjetër paragraf i herës së parë në raport është edhe theksi te korrupsioni i administratës publike e cila cilësohet si “zhvatëse”. Fatkeqësisht në këtë kategorizim futet edhe media.
Ndryshe nga më parë, kur korrupsioni në Shqipëri përcaktohej si ‘endemik’, këtë vit Departamenti i Shtetit përdor fjalën ‘sistemik’ për të përshkruar korrupsionin në Shqipëri. E thënë më thjeshtë, korrupsioni është i gjithë pranishëm dhe i pamohueshëm.
Qeveria shënjestrohet drejtpërdrejt, një element i pa hasur në raportet pararendëse, ku “Investitorët raportojnë në mënyrë frekuente raste të korrupsionit të qeverisë, të cilat vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri.”
Raporti i DASH është një kambanë alarmi për shoqërinë dhe vendin. Partia Demokraktike rithekson se vrasja e zgjedhjeve të lira, konkurrenca themelore që mundëson të gjitha garat e tjera, është në zemër të problemit.
Pa një ballafaqim të drejtë dhe të ndershëm, raportet e ndërkombëtarëve vetëm do të nxijnë dhe shqiptarët do të ikin. Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.
()

AlbaniaWeb.net