Fundjavë vendimtare për mbylljen e marrëveshjes, drejtuesit e Bayern në Londër për Harry Kane
Kjo fundjavë do të jetë vendimtare për të ardhmen e Harry Kane. Sulmuesi anglez dëshiron të largohet nga Tottenham dhe Bayern Munich po bën gjithçka për ta marrë në Gjermani.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazeta “Bild”, presidenti Jan-Christian Dreesen dhe kreu i skautingut Marco Neppe kanë udhëtuar sërish në Londër për të takuar Daniel Levy, shefin e klubit të Tottenham, duke tentuar kështu të gjejnë një marrëveshje për transferimin e kapitenit të kombëtares angleze.
Në fund të qershorit, “Spurs” refuzuan ofertën fillestare prej rreth 70 milionë euro, plus bonuse. Kane e ka qetësuar Bayern disa herë, duke përsëritur gatishmërinë e tij për të lëvizur, pasi ka luajtur më shumë se 400 ndeshje për Tottenham dhe nuk ka fituar asgjë në rang klubesh.
Me skadimin e kontratës së tij pas një viti, sulmuesi është i vendosur të përballet me një fazë të re në karrierë. Shtypi gjerman raporton gjithashtu se gruaja e tij, Katie Goodland, ishte në Mynih ditët e fundit për blerjen e mundshme të një shtëpie të ardhshme. Mësohet se Bayer ka rritur ofertën deri në 90 milionë euro plus bonuse.
()