Shpërbëhet MNM e PSG, mbijeton vetëm Neymar, sheikët tërbojnë Real Madrid
MNM e famshme e PSG, Messi, Neymar, Mbappe po shkon drejt shpërbërjes. Pas largimit të Leos të njëjtin fat pritet të ketë edhe Mbappe, kjo është e sigurt, është thjesht çështje kohe se kur do të transferohet në Madrid. I mbijetuari i vetëm është sulmuesi brazilian, ai që më pak pritej, pasi prej kohësh është folur se Neymar do të largohej, madje edhe këtë verë. O Ney po kalon një formë shumë të mirë, këtë po e shfaq edhe gjatë turnet verorë në Japoni.
Sipas Le Parisien: Luis Enrique është shumë i kënaqur me formën e Neymar dhe pritet që braziliani të jetë qendra e projektit në sezonin e ri, vetëm në atë rast nëse Mbappe dhe PSG gjejnë një gjuhë të përbashkët, por kjo vështirë se mund të ndodhë. Mes palëve nuk ka paqe, ndërsa vijojnë betejën në distancë. PSG as që ka ndërmend të bëjë skonto për kartonin e tij, jo vetëm kaq, por së fundmi ata kanë rritur pretendimet për Mbappe.
Nëse Real Madrid kërkon të sigurojë kartonin e tij këtë verë atëherë duhet të paguajë 250 milionë euro. Këtë shifër ja ka përcjellë Realit mamaja e lojtarit, njëkohësisht edhe menaxheria e tij. Nëse Real Madrid do të paguante këtë shifër, diçka që vështirë se mund të ndodhë, Mbappe do të shndërrohej në lojtarin më të shtrenjtë në histori duke zbritur nga froni pikërisht Neymar.
()