Fri, Nov 22, 2024

I ndodhi edhe vitin e kaluar me Partizanin, Dritan Mehmeti konfirmon largimin edhe nga Dinamo pa filluar sezoni

  • PublishedJuly 29, 2023

Dritan Mehmeti ka mbyllur nga sot aventurën me Dinamon. Trajneri kryeqytetas ka marrë këtë vendim për të ardhmen, pasi i është komunikuar nga drejtuesit e klubit për një ndryshim në bashkëpunimin mes tyre, çka nënkupton se atij i është ofruar një pozicion tjetër, por që Mehmeti nuk e ka pranuar.

Ishte një lëvizje e pritshme, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, me projektin ‘Dinamo City’ dhe afrimin e disa aksionerëve të tjerë. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri Dritan Mehmeti është shprehur:

“Po, nuk jam më pjesë e Dinamos. E mora drejtimin e kësaj skuadre në një moment shumë të vështirë sezonin e kaluar, një moment mjaft delikat. Arritëm një sukses me ngjitjen në Superiore dhe kishim nisur përgatitjet për sezonin e ri.

Më ka kontaktuar sot një drejtues i klubit për të më komunikuar vendimin. Puna ime përfundon këtu dhe i uroj suksese Dinamos në të ardhmen. Falënderoj tifozët e Dinamos për mbështetjen”.

Tani pritet që drejtimin e Dinamos ta marrë trajneri italian Luigi Di Biago, me të cilin klubi ka arritur akordin. Në fillim të javës së ardhshme skuadra kryeqytetase do të shkojë në Itali për vazhdimin e fazës përgatitore dhe aty do të nisë punën trajneri i ri, që me shumë gjasa do të ketë stafin e tij.

()

AlbaniaWeb.net