Ndjekja e “stabilokracisë” në Kosovë ka dështuar
Nëse shikoni zhvillimet e muajve të fundit në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës është e qartë se zgjidhjet e detyruara në letër vështirë se sjellin përparim të vërtetë.
Fillimisht, marrëveshje më e re mes dy vendeve u duartrokit si një ‘moment historik” – derisa trazirat shpërthyen shpejt në veri të Kosovës. Me gjasë, të dy vendet kishin pak besim te marrëveshja e shumëvlerësuar.
Vetë dokumenti i Ohrit lexohet si një koleksion tekstesh të paqarta të grupuara rreth një teme të vetme konkrete dhe qëndrore mbi “Asosacionin Serb”. Edhe pse të gjithë po shtyjnë për këtë, në fakt është leva më e mirë për presidentin e Serbisë, Vuçiç, që të lejojë shpërthimin e trazirave në veri të Kosovës sa herë që vendi përpiqet të zbatojë atë që pritet të krijojë: një shtet kushtetues uniform pa përjashtime.
Një pakicë e mbi-privilegjuar?
Edhe sot minoriteti serb, që përbën thuajse 5 për qind të popullsisë së përgjithshme, ka të drejta të veçanta që shkojnë shumë përtej asaj që mund të krahasohet diku gjetkë në Europë. E ku tjetër minoritetet kanë kaq shumë të drejta dhe rregullore speciale sa në Kosovë? Dhe nuk ka të bëjë aspak me sigurimin e mbrojtjes së nevojshme për të gjitha pakicat në Kosovë, por me të drejtat e serbëve.
Kush po flet për ashkalitë apo romët në skenën ndërkombëtare? Në përgjithësi, ndërtimi i Kosovës, një vendi me vetëm 1.8 milionë banorë, si “një shtet multietnik” ishte më shumë një lustër mbi faktin se serbët presupozohej të kishin më shumë të drejta të veçanta.
Me shqiptarët që përbëjnë më shumë se 90% të qytetarëve të saj, Kosova nuk është më shumë “multi-etnike” sesa shumica e vendeve europiane. Ndaj një pyetje duhet të ngrihet: përse u nxit në këtë mënyrë?
Sot çuditërisht, “ndikuesit ndërkombëtarë” në Kosovë po kërcënojnë madje me sanksione nëse përfundimisht nuk krijohet Asosacioni i komunave me shumicë serbe. Kushtetuta e Kosovës u miratua në çdo pasazh nga të njëjtët ndikues të huaj.
Megjithatë, kjo kushtetutë nuk parashikon një shkallë edhe më të lartë të të drejtave të veçanta për ndonjë grup etnik.
Vetëm kujtoni të drejtat e veçanta që ekzistojnë ndërkohë për minoritetin serb: rreth 8 për qind e karrigeve të parlamentit, pjesmarrje e garantuar në qeveri, serbishtja si gjuhë e dytë zyrtare, të drejta të mëtejshme sovrane në komunat me shumicë serbe, etj.
Gjithë sa ka dalë nga kjo mund të shihet nëse krahasohet përmbajtja arsimore në komunat serbe me pjesën tjetër të vendit. Edhe më keq; thuajse të gjithë fëmijët në komunitetet e banuara nga serbët mësojnë vetëm serbisht, ndërsa fëmijët në komunitetet e banuara nga shqiptarët mësojnë pothuajse vetëm shqip.
Është më mirë të mos pyesim se si janë mësimet e tyre përkatëse të historisë, pasi për shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, lufta e agresionit të Serbisë 20 vjet më parë është sërish shumë e pranishme.
Të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së duhet të shpjegojnë më hollësisht se si e gjitha kjo supozohet të kontribuojë në integrim. Integrimi i Kosovës nuk është në asnjërën nga axhendat e tyre, të paktën jo në krye.
Për Serbinë, shpërbërja është qëllim
Zgjedhjet e fundit lokale në veri të Kosovës tregojnë se si janë planifikuar dhe realizuar tensionet: pas dorëheqjes së kryetarëve në katër komunat e veriut me shumicë serbe u vendos të mbahen zgjedhje të reja. Maxhoranca serbe në veri e kontrolluar nga Vuçiç i bojkotoi këto zgjedhje.
Rezultati ishte që kryebashkiakët e sapozgjedhur shqiptarë u zgjodhën nga një përqindje shumë e vogël votuesish. Qeveria u përball me dilemën e pritshme. A duhet që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme sipas legjislacionit të Kosovës dhe si të tilla, kryebashkiakët të fillojnë punën, apo shteti kushtetues duhet të shtrëngohet që të pranojë një pjesë të territorit të saj si të paligjshëm?
Të dy variantet nuk mund të ishin tjetër veçse vendime të këqija. Në rastin e parë ishte e qartë se pala serbe do të ishte e gatshme për trazira të tjera të dhunshme – të cilat ndodhën më pas. Në alternativën e dytë, qeveria do të hiqte dorë nga sovraniteti mbi një pjesë të Kosovës. Kjo do të duhej të bëhej kundër vullnetit të popullsisë dërrmuese – gjë që më pas do të kishte çuar në probleme serioze të politikës së brendshme.
Llogaritë e Vuçiç dhanë rezultat: komuniteti ndërkombëtar kundërshtoi vendimin e qeverisë së Kosovës, duke mbështetur kështu përpjekjet e Vuçiç për shpërbërje.
Një rast i ngjashëm ka qenë edhe çështjen e targave, një shembull grotesk në vetvete, pasi në cilin vend tjetër ekzistojnë targa të ndryshme sipas grupeve etnike? Edhe në këtë rast, vasalët e Vuçiç mundën të siguronin mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar përmes kryengritjeve.
Presion mbi Kosovën, jo mbi Serbinë
Pra, çfarë e udhëheq këtë ndërhyrje masive të ndërkombëtarëve në politikën e Kosovës? A ka një presion të ngjashëm ndaj Serbisë, që hapur propagandon ligjshmërinë e luftës së saj kundër shqiptarëve të Kosovës, që solli dhjetra mijëra të vdekur? Cila është strategjia e fuqisë mbrojtëse amerikane në Kosovë dhe cilat janë planet e BE-së, në të cilin Kosova do të donte aq shumë që të anëtarësohej?
Dikush mund të marrë me mend se Shtetet e Bashkuara janë në thelb të shqetësuara me pikat strategjike, të cilat gjithsesi do të duhet të zbatohen. Kjo shtron pyetjen se si Shtetet e Bashkuara po sillen tani me Serbinë, kur më pak se 25 vjet më parë iu desh të përdorte një forcë të konsiderueshme për të ndaluar regjimin serb që të kryente gjenocid ndaj shqiptarëve në provincën e tyre të dikurshme.
Epo, Serbia ka “kartën e Putinit” dhe kërcënon që të kalojë në kampin tjetër, ndonëse nuk është në të vërtetë në këtë kamp. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara ushtrojnë presion të konsiderueshëm në baza ditore mbi politikën e Kosovës, siç tregojnë titujt aktualë.
Sanksionet madje supozohet se do ta detyrojnë Kosovën që të pranojë një politikë që shumica e popullsisë kosovare nuk e do. E gjitha për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në “krijimin e një shteti kushtetues, demokratik dhe sovran”.
Nga ky këndvështrim, Bashkimi Europian duket edhe më keq. Nuk ekziston një strategji koherente e BE-së për Ballkanin në përgjithësi dhe për marrëdhëniet Serbi-Kosovë në veçanti.
Politika e BE-së nuk është e qartë, veçanërisht në të ashtuquajturin dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Mes 27 shteteve anëtare, pesë as që e njohin pavarësinë e Kosovës – më së shumti për arsyet e tyre të brendshme.
Prandaj, politika BE-Ballkan mund të duket veçse konfuze. Në Kosovë, emisarët e BE-së ushtrojnë presion. Më pas janë “vendet e Kuintit” nga BE (përfshirë Mbretërinë e Bashkuar) dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe më pas, edhe përfaqësuesit vendorë të “komisionerëve të Ballkanit Perëndimor”.
Nga vendet e tyre të BE-së, ata vijnë në Prishtinë gjithnjë e më shpesh. Dhe sigurisht, secili prej tyre dëshiron veçse “më të mirën”. Por se çdo të thotë kjo për Kosovën, askush prej tyre nuk mund ta thotë në detaje. Fatkeqësisht, shpesh ka të bëjë më shumë me interesat e tyre.
Pra në përgjithësi u ra dakord që të “stabilizohej situata”, çfarëdo të nënkuptojë kjo pas më shumë se 20 vitesh mosmarrëveshje të ndezura mes Serbisë dhe Kosovës. U themelua “stabilokracia”, një status quo si të thuash, që as nuk është e përcaktuar saktësisht dhe as nuk tregon ndonjë perspektivë.
Kritere të ndryshme për dy vendet
Është disi më e thjeshtë për Serbinë sesa për Kosovën. Askush nuk e vë në dyshim sovranitetin e saj, përkundrazi, Serbia duket se është pranuar si fuqia ekonomike udhëheqëse në Ballkanin Perëndimor.
Pjesa më e madhe e investimeve shkon në Serbi, ndërsa shumë më pak presion politik i drejtohet një vend që është ndërkohë një autokraci në duart e ish-anëtarit të regjimit të Milosheviçit.
Pse është dëgjuar kaq pak për presionin për demokraci në Serbi nga SHBA, Kuinti dhe Bashkimi Europian në vitet e fundit? Pse BE-ja nuk po e kërcënon Serbinë me sanksione?
Vendi po shkon drejt kushteve jo-demokratike, duke mbështetur pak a shumë hapur luftën agresive të Rusisë mbi Ukrainën dhe duke u larguar gjithnjë e më larg nga çdo orientim i BE-së. Por Serbia e ruan statusin e saj si vend kandidat në BE, po aq sa interesin ekonomik për bashkëpunim. Kosova, në anën tjetër, mbështet të gjitha masat e Bashkimit Europian kundër Rusisë, shpesh në mënyrë shumë aktive, ka shtypin më të lirë në Ballkanin Perëndimor dhe po tregon progres të vërtetë në reformat e sistemit gjyqësor. Vendi po i afrohet standardeve të BE-së, por është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka ende statusin e lëvizjes pa viza në zonën Schengen.
Më në fund do ta realizojë këtë “arritje të madhe” vitin e ardhshëm – por vetëm nëse diçka tjetër nuk shfaqet sërish, siç shpesh ndodh.
Çfarë ndodhi me vetë-vendosjen?
Një vëzhgues i jashtëm duhet të ketë dyshime mbi ndershmërinë e “politikës së ndikuesve të huaj” bazuar në këta pak shembuj të trajtimit krejt të ndryshëm të dy vendeve. Kosovarët po e pyesin gjithnjë e më shumë veten sepse vendi i tyre u shpëtua fillimisht nga serbët me forcën e armëve dhe më pas u la jashtë në shi.
Duket sikur i ashtuquajturi “komunitet i vlerave perëndimore” nuk dëshiron realisht t’u japë atyre të drejtën e vetëvendosjes dhe njohjes ndërkombëtare, sipas motos: “Nëse bën çfarë duam ne, mirë, nëse jo, do keni sanksione”.
Duhet t’i urojmë Kosovës fat në rrugën e saj drejt një të ardhmeje demokratike dhe sovrane në Bashkimin Europian. E njëjta gjë vlen edhe për serbët, të cilët po vuajnë gjithnjë e më shumë nën regjimin e Vuçiç.
Frank Hanke jetoi dhe punoi në Ballkanin Perëndimor për më shumë se 15 vjet dhe drejtoi zyrat e Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” në Serbi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.