“Biznesi po shantazhohet nga administrata dhe grupet kriminale”, ish-ministri i PS: Pse u zhvlerësua tani Euro
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj është shprehur se faktorët negativë të identifikuar nga DASH, më herët nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, dhoma Gjermane e Tregtisë dhe shumë raporte të tjera ndërkombëtare e pengojnë ekonominë shqiptare të jetë vibruese/rezistente ndaj krizave dhe të bëhet më konkurruese e produktive.
Në një intervistë për Gazeta Panorama, ish-ministria tha se burimet informale dhe kriminale shtrembërojnë konkurrencën e lirë në ekonomi. Ky shqetësim sipas tij konstatohet në prokurimet publike, partneritetet publike private, koncesionet dhe biznesin në tërësi. Sakaq ai shprehu shqetësimin për fenomenin e nepotizmit i cili po promovon të paaftët dhe po vret shpresën e shqiptarëve duke i shtyrë drejt një migrimi masiv.
“Shumë të rinj e shohin të pashpresë vendin e tyre për faktin se nuk gjejnë mundësi për punësim dhe karrierë profesionale”, shprehet ish-ministri i Financave.
Rotacionin politik e konsideron të vështirë, teksa i rikthehet opsionit e tij në vitin 2005 se në çdo zgjatje mbi dy mandate qeverisëse, PS-së të mos synonte shumicën absolute dhe sa më gjatë, por të zgjerohej në një koalicion qeverisës me parti politike të djathta ose anasjelltas.
Z. Malaj, pse shqiptarët vuajnë një krizë ekonomike, krizë pagash të ulëta dhe krizën e inflacionit socialist?
Malaj: Ekonomia shqiptare është përballur me kriza të rënda si tërmeti, pandemia, kriza financiare e vitit 2008 dhe kriza e fundit e inflacionit. Inflacioni në ekonomi dhe politikë është shumë i dëmshëm. Presidenti Reagan në vitin 1978 do të theksonte se: “Inflacioni është po aq i dhunshëm sa një grabitje me dhunë, po aq i frikshëm sa një grabitje me armë dhe po aq vdekjeprurës sa një vrasës”.
Inflacioni “vret” vlerën reale të pagave, pensioneve, çdo të ardhure dhe fitimi. Pikërisht për shkak të efekteve negative të inflacionit në të ardhurat reale, bankat qendrore kudo në botë kanë si objektiv bazë mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Bankat qendrore të vendeve të zhvilluara kanë një objektiv që inflacioni të jetë 2%. Banka e Shqipërisë ka objektivin e inflacionit 3%. Pikërisht për shkak se kemi një rritje të inflacionit në përgjithësi dhe të inflacionit të ushqimeve në veçanti, Bankat Qendrore po rrisnin koston e parasë në ekonomi duke rritur interesin bazë.
Objektivi është që duke e shtrenjtuar paratë në ekonomi, duke ulur kërkesën agregate. Ulja e kërkesës për mallra dhe shërbime do të ulen çmimet e tyre. Inflacionin do të ulet drejt objektivit të Bankave Qendrore. Koha e transmetimit të politikës monetare nuk është e shpejtë ajo shkon deri në 2 vjet.
Deputetët e PS-së dhe PD-së kohët e fundit bashkuan votat për të dyfishuar rrogat e tyre me argumentin se pas prekjes së pagave të majës së piramidës së administratës shtetërore, ata merrnin rrogë më të vogël se drejtorët nëpër ministri. Si e shikoni rritjen e pagave për ministrat, deputetët dhe institucionet? Sipas jush, çfarë e shtyn këtë rritje?
Malaj: Problemi nuk qëndron tek rritja e pagave, por tek madhësia e rritjes së tyre dhe për më tepër në hendekun që krijohet midis pagave maksimale krahasuar me pagat e mesme dhe pagat e ulta. Rritja e kësaj diference bëhet shqetësuese, veçanërisht për konsolidimin e klasës së mesme e konsideruar si motori ekonomik i shume ekonomive. Diferenca e madhe dhe në rritje midis pagave maksimale dhe pagave minimale dëmton kohezionin social me shtresat e varfra.
Politikat e ngushtimit të këtyre diferencave janë në thelb të politikave të qeverive të majta. Kur kjo distancë rritet ndjeshëm, qeveria dhe parlamenti përballen me rrezikun e uljes së mbështetjes publike, gjë që e bën më të vështirë qeverisjen e vendit, veçanërisht sa i përket kohezionit social dhe solidaritetit social.
Përse duhet të shqetësohemi nga rritja e pabarazisë?
Malaj: Po jetojmë në një periudhë ku pas ngrohjes globale, thellimi dhe rritja e pabarazisë është një sfidë serioze kombëtare dhe globale. Lidhur me rritjen e pabarazisë, Michel Cammdessys, ish-shef i FMN-sè, konkludonte se pabarazia nga ana morale është e dhimbshme, nga ana ekonomike është e dëmshme dhe nga ana politike është shpërthyese. Rritja e pagave minimale dhe mesatare konsiderohet si një domosdoshmëri për të ndarë më mirë përfitimet e rritjes ekonomike. Përqendrimi i pasurisë në pak duar është i rrezikshëm, sepse 8 njerëzit më të pasur në botë kanë pasuri sa gjysma e popullsisë së botës ose rreth 3.5 miliardë banorë. Rritja e pagave, raporti pas rritjes mes pagës mesatare dhe pagës minimale nuk është thjesht një tabelë “Excel”. Por, një studim i thelluar për të garantuar që çdo rritje të mos përkeqësojë marrëdhëniet me pagën mesatare dhe minimale. Miliarderi amerikan Nick Hanauer, në 2014, i këshilloi miliarderët e tjerë të ulin pabarazinë, sepse në rast kundërshtimi, protestuesit me sfurk si në revolucionin francez do të na gjejnë kudo që të fshihemi. Nick është mbështetës publik i dyfishimit të pagës minimale në SHBA nga 7.5 $ për orë në 15. Kjo video me titra edhe në shqip është parë nga rreth 2.7 milionë njerëz.
Si e konsideroni raportin e DASH për klimën e investimeve në Shqipërinë?
Malaj: Shqetësimet e identifikuara dhe të theksuara nga Departamenti i Shtetit kanë qenë për të gjitha qeveritë. Për rreziqet potenciale në rritje, ekzistojnë faktorë historikë dhe aktualë si:
(i) kultura e dobët e shteteve formuese;
(ii) kultura e moskëmbyeshmërisë;
(iii) mungesa e një administrate thellësisht profesionale me integritet të lartë;
(iv) qeverisja (mungesa) e pjesëmarrjes;
(v) llogaridhënie e dobët dhe (vi) mungesa e transparencës.
Sfida e çdo qeverie është përmirësimi i qeverisjes së mirë dhe shmangia e çdo përkeqësimi të rritjes së ekonomisë informale, reduktimi të parave kriminale në ekonomi, stabiliteti i administratës publike përballë rotacioneve, por edhe gjatë së njëjtës mazhorancë, duke e dëmtuar performancën e administratës publike. Faktorët negative identifikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, dhoma Gjermane e Tregtisë dhe shumë raporte të tjera ndërkombëtare e pengojnë ekonominë shqiptare të jetë vibruese/rezistente ndaj krizave dhe te behet me konkurruese e produktive.
Sa kërcënuese janë paratë informale dhe kriminale për mjedisin e biznesit në vendin tonë?
Malaj: Shqetësuese janë gjetjet e DASH-it lidhur me peshën në rritje të parave të pista në ekonominë shqiptare dhe dobësinë e institucioneve përkatëse për të luftuar pastrimin e parave. Bashkëpunimi me “Moneyval” për daljen e ekonomisë shqiptare nga zona gri është jetik.
Institucionet përgjegjëse për strategjinë e luftës kundër pastrimit të parave duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe veçanërisht me “Moneyval”. Burimet informale dhe kriminale shtrembërojnë konkurrencën e lirë në ekonomi. Ky shqetësim konstatohet në prokurimet publike, partneritetet publike private, koncesionet dhe biznesin në tërësi. Sfidat e mëdha me të cilat përballet Shqipëria nuk mund të përballohen vetëm nëpërmjet disa kompanive shqiptare dhe vetëm nga taksa-paguesit shqiptarë.
Është e domosdoshme që pas raporteve të tilla, qeveria të bëjë një plan veprimi për të adresuar rreziqet konkrete dhe për t’i reduktuar ato sa më parë. Monitorimi i planit të veprimit garanton respektimin e tij dhe uljen gradual të rreziqeve, që klima e biznesit nga njeri vit në tjetrin të ketë vetëm përmirësime.
Sa problematike është situata kur DASH shprehet se në Shqipëria ka korrupsion sistemik, pastrim masiv parash, shantazh biznesit nga administrata, media dhe grupet kriminale?
Malaj: Gjetjet janë shqetësuese. Kjo konstatohet jo vetëm nga DASH-it, por edhe nga dhomat e tregtisë vendase dhe të huaja si edhe të institucioneve ndërkombëtare. Është shumë shqetësuese të konstatohet se në vendin tonë ka shantazh ndaj biznesit fillimisht nga administrata, së dyti nga mediat dhe së treti nga grupet kriminale. Kjo e fundit e bën gati të pamundur të bërit biznes.
Pse korrupsioni i përhapur te prokurimet publike është kthyer tashmë në normalitet i reflektuar edhe në raportin e Departamentit të Shtetit?
Malaj: Prokurimi publik ka si mision rritjen e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në mënyrë që individët, bizneset dhe ekonomia në tërësi të ndjejnë konkretisht tre përfitime reale. Së pari, rritja e konkurrencës rrit shumëllojshmërinë e përzgjedhjeve për mallrave dhe shërbimeve për konsumatorët. Për shembull, një celular mund të blini 1000 euro, por mund ta gjeni për 100 euro, mund të blini një orë “Apple” ose “Sumsung” për rreth 600 euro, por mund të gjeni versione deri në 20 euro.
Përfitimi i dytë ishte ulja e çmimeve. Përfitimi i tretë duhet të jetë cilësia e produkteve në mallra, shërbime dhe prokurime publike me një kosto optimale dhe që nuk cenon cilësinë e tyret. Por nëse numri i kompanive konkurruese në prokurimin publik bie dhe vlera e fitimit të një prokurimi publik është afërsisht 95-98% të vlerës së tenderuar këto janë dy simptoma që paralajmërojnë se sistemi ynë i prokurimit publik nuk ka qenë rezident nga korruptimit Sa më shumë që ne i ofrojmë BE-së, aq më shumë mbikëqyren nga institucionet e BE-së, prokurimet publike, deficiti buxhetor dhe borxhi publik.
Ndërsa grantet apo huatë që BE-ja u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë gjithmonë nën skanerin e OLAF, agjencisë evropiane kundër korrupsionit.
Pse kemi një situatë të përkeqësuar dhe a ndjehet komuniteti i biznesit i frustruar? Pse është e vështirë që të bësh biznes në Shqipëri?
Malaj: Disa nga arsyet janë dhënë më sipër dhe janë identifikuar e nënvizuar qartë në raportin e fundit të DASH. Një tjetër faktor që ndikon në vështirësitë për të bërë biznes është ndryshimi i shpejtë i taksave dhe i administrativit tatimore e doganore.
Qeveritë me politikat e tyre sektoriale dhe tatimore duhet të ndihmojnë bizneset të zvogëlojnë paqartësitë dhe pasiguritë e të bërit biznes në vendin tonë. E para nëse taksat, tatimet dhe tarifat ndryshojnë shumë shpesh dhe pa konsultime me grupet e interesit, kjo dëmton biznesin, pasi ai nuk planifikon dot të paktën në afat të mesëm. Mjedisi bëhet i paqartë, por edhe i pasigurt sepse planet e tyre të biznesit janë të vështira për t’u orientuar në afat të mesëm.
FMN-ja i rekomandoi qeverisë shqiptare që të zbatojë praktika më të mira të administrimit fiskal, ku taksat nuk duhet të ndryshojnë brenda tre viteve. Ndërrimi i shpeshtë i ministrave, drejtorëve të tatimeve, doganave, kadastrave e të tjera dëmton mjedisin e biznesit gjithashtu.
Një ambient i tillë a krijon premisa për largimin e investitorëve serioz nga Shqipëria?
Malaj: Ndikimi më i madh nuk është largimi i bizneseve të huaja nga Shqipëria, por rritja e hezitimit tek investitorët potencial. Së dyti, në Ballkanin Perëndimor ka një “luftë” se kush mund të thithë më shpejt dhe më shumë investimet e huaja direkte. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë legjislacion agresiv të bazuar në subvencione direkte dhe indirekte për thithjen e investitorëve të huaj.
Rritja e rrezikut politik rrit koston e sigurimit të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare, gjë që pengon rritjen cilësore të investimeve të huaja. Nëse DASH arrin në përfundimin se ka një përkeqësim të mjedisit të biznesit, ekziston rreziku që investitorët potencialë të zhvendosin projektet e tyre nga ekonomia shqiptare në atë të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Për shkak të mosveprimit a besoni se pasojat mund të jenë të pakthyeshme?
Malaj: Jo, sepse akoma besoj se ka mundësi reale që problemet e adresuar nga DASH dhe institucionet ndërkombëtare te trajtohen me prioritet dhe seriozitet nga autoritetet përgjegjëse shqiptare. Kjo sepse rritja e rrezikut politik rrit koston e sigurimit të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare. Kjo pengon rritjen cilësore të investimeve të huaja në vendin tonë. IHD mund të spostohen apo vendosen në vendet e tjera.
Çfarë e ndryshon këtë situatë në një kohë kur korrupsioni ka prekur nivelet e larta të shtetit dhe se SPAK po arreston ish ministra dhe deputetë?
Përfundimi i pandëshkueshmërisë është ndikimi më i madh që SPAK sjell në shtetin ligjor. SPAK duhet të mbështetet sa më shumë dhe sa më shpejt nga institucionet e tjera të shtetit ligjor në sfidën e tij për të luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe shpërdorimin e detyrës. SPAK nuk duhet të konsiderohet në asnjë mënyrë si ushqim për luftën baltosore në Parlament dhe në studiot televizive.
Si e konsideroni bllokimin e fondeve IPARD për bujqësinë nga BE?
Malaj: Shqiptarë që janë më pak të mbështetur dhe më të pambrojtur në vështirësitë e tyre të dhimbshme. Vetëm dy shifra lejojnë të kuptojnë se sa jetike janë këto fonde për fermerët Shqiptar. Në BE bujqësia prodhon deri në 1.6 % të GDP-së dhe vetëm 4 % të punësimit. Në Shqipëri fermerët në vitin 2022 prodhojnë 21.8 % të GDP-së, ndërsa punësohen 45 % e të punësuarve.
Edhe nëse ka raste korrupsioni, ato duhet të ndiqen ligjërisht, ndërsa ndërprerja e fondeve duhet të jetë alternativa e fundit. Besoj se fondet do të lirohen së shpejti. Ndërkohë që duhet nxjerrë mësime nga rastet e konstatuara të korrupsionit dhe të bëhen përmirësimet e nevojshme në përzgjedhjen e fituesve, në vlerësimin e kostove të financueshme nga BE dhe sidomos auditimin sistematik të granteve fituese. Është dëshpëruese të shkurtosh edhe më shumë fonde për fermerët shqiptarë që janë më pak të mbështetur dhe më të cenuar në gjendjen e tyre të dhimbshme.
Edhe nëse ka raste korrupsioni, ato duhet të ndiqen ligjërisht, ndërsa ndërprerja e fondeve duhet të jetë alternativa e fundit. Besoj se fondet do të lirohen së shpejti. Ndërkohë, duhet të nxirren mësime nga rastet e konstatuara të korrupsionit dhe të bëhen përmirësimet e nevojshme në përzgjedhjen e fituesve dhe auditimin sistematik të tyre.
Apo punësohen individë sipas preferencave politike dhe jo sipas meritave?
Malaj: Nepotizmi familjar, krahinor dhe partiak kanë rrënjë të thella në historinë dhe tranzicionin tonë. Administrata publike, profesionalizmi, përkushtimi dhe integriteti i saj kanë një ndikim të caktuar në vendimmarrjen dhe proceset integruese të vendit. Nepotizmi është një nga faktorët e braktisjes dhe vdekjes nga të ndenjurit. Shumë të rinj e shohin të pashpresë vendin e tyre për faktin se nuk gjejnë mundësi për punësim dhe karrierë profesionale. Vendi ka nevojë për individë të përkushtuar dhe institucione të forta dhe të qëndrueshme. Jean Monnet në 1978 do të qartësonte se : “Asgjë nuk është e mundur pa njerëzit, asgjë nuk zgjat pa institucionet”. Rastet tipike kur shohin promovimin e kolegëve të tyre të paaftë ose thjeshtë se kanë lidhje nepotike familjare, krahinore dhe partiake u vrasin shpresat dhe i shtyjnë drejt një emigrimi masiv.
A ka ardhur koha për rotacion politik? Çfarë ndodh pas zgjatjes së dy mandateve…?
Malaj: Në realitetin politik shqiptar, rotacionet politike janë bërë më të vështira. PS është në mandatin e tretë dhe ka shumë sfida përpara. Një rotacion mes socialistëve dhe PD-së me tre pjesë është i vështirë. Kjo nuk duhet të shërbejë për absolutizimin e pushtetit në asnjë nivel kombëtar apo vendor, aq më tepër pas rasteve të rënda të disa ministrave dhe kryebashkiakëve me skandalet e tyre tronditëse. Në vitin 2005, kur diskutonim për mandatin e tretë, opsioni im në forumet e PS-së ishte që në çdo zgjatje mbi dy mandate qeverisëse, PS-së të mos synonte shumicën absolute dhe sa më gjatë, por të zgjerohej në një koalicion qeverisës me parti politike të djathta ose anasjelltas.
Cilat janë arsyet e rënies së Euros, pse kjo luhatje u bë e dukshme gjatë fushatës elektorale?
Malaj: Çmimi i euros, si çdo mall tjetër, përcaktohet nga raporti kërkesëofertë, pra sa euro janë në qarkullim dhe sa është kërkesa për euro. Kur oferta rritet nga ardhjet nga turizmi, nga investimet e huaja direkte, nga remitancat por edhe nga burime informale dhe sipas SPAK dhe nga burime kriminale dhe kërkesa ulet për shkak se importet në euro bëhen më të lira, atëherë ndodh zhvlerësimi i euros. Padyshim që gjatë fushatave elektorale ka një hyrje më të madhe të eurove në treg, qoftë për financimin e partive, deputetëve dhe kryetareve për blerjen e votave.
Luhatjet e kursit të këmbimit në një sistem me kurs këmbimi të ndryshueshëm janë reflektim i lëvizjeve në raportet ofertë-kërkesë, të ndikuar edhe nga zhvillimet në tregjet botërore. Tregu i valutës në vendin tonë është relativisht i vogël dhe mund të luhatet edhe nga një ndryshim spontan i raportit kërkesë-ofertë. Nëse luhatjet arrijnë kulmin e tyre deri në 20% ose 13.5% në bazë vjetore, atëherë këto luhatje ose do të jenë për një periudhë relativisht të shkurtër ose nëse veprojnë për periudha të gjata, ekzistojnë vetëm dy mundësi.
Së pari, ekonomia shqiptare është bërë më konkurruese dhe vibruese, deficiti i llogarisë korente është ngushtuar, deficiti tregtar i mallrave dhe shërbimeve është ngushtuar, investimet e huaja dhe remitancat nga burime të ligjshme janë rritur. Se dyti që duhet analizuar me kujdes është se nëse euro është zhvlerësuar për shkak se burimet e informale dhe kriminale në pasuri të paluajtshme dhe biznese janë rritur ndjeshëm.
Kjo shtrembëron raportin kërkesë-ofertë në tregjet e pasurive të paluajtshme, duke rritur artificialisht çmimet e pronave të paluajtshme gjë që dëmton fuqinë blerëse të shqiptarëve për blerjen e shtëpive dhe ambienteve për biznese dhe zyra. Ky fenomen duke marrë parasysh faktin se Shqipëria vazhdon të klasifikohet nga “Moneyval” si një vend me rrezik në zonën gri. Kjo kërkon bashkëpunim të fortë ndërmjet institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër pastrimit të parave brenda vendit dhe me institucionet ndërkombëtare.
Debatet për arsyet e rënies së çmimit të euros do të vazhdojnë si i vlerësoni ju ato?
Malaj: Në debatet publike ka dy propozime se si të luftohet zhvlerësimi i euros për të mbrojtur eksportuesit dhe këdo që ndikohet negativisht nga zhvlerësimi i euros. Propozimi i parë, Banka e Shqipërisë të ndërhyjë deri në aplikimin e kursit fiks. Ka kolegë që theksojnë se BSH nuk duhet te synoj apo përgjigjet vetëm inflacionin. Por në bazë të ligjit të BSH, objektivi kryesor është inflacioni. Ka banka qendrore si FED ku objektivi/detyrimi i të cilave është inflacioni i ulët dhe mbështetja për rritjen e punësimit. Bazuar në raportin e BE-së, në pjesën financiare, BSH ka detyrimin të miratojë një ligj të ri. Ky është momenti për të diskutuar objektivat e BSH.
Ndërhyrja e BSH në luhatjet e kursit të këmbimit zbatohet vetëm kur këto luhatje ndikojnë në objektivin e inflacionit. Propozimi i dytë -aplikimi i kursit fiks të këmbimit. Kjo kërkon një ekonomi solide me produktivitet të lartë. Vendet me deficite të larta të llogarisë korente dhe nivele të ulëta produktiviteti e kanë të vështirë të mbështesin një kurs këmbimi fiks. Domethënës në debatin e kurse fiks apo të luhatshëm është rasti i Presidentit Nixon, i cili në 1971, i cili pas përllogaritjeve të ekspertëve francezë dhe SHBA-së nuk e garantonte dot borxhin e sa me ar, Presidenti Nikson deklaroi rënien e kursit fiks të dollarit. Shpalli rënien e sistemit të kurseve të këmbimit. Kështu ra sistemi fiks i dollarit me arin, marrëveshje e cila u arrit në Bretton Ëoods në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Kujtojmë krizën e paundit në të premten e zezë, kur Soros fitoi 1 miliard dollarë, nga basti se qeveria britanike nuk mund të garantonte vlerën e paundit.
Më kujtohet në vitin 1997, gjatë takimeve me FMN-në, kur Indonezia u përfshi në protesta kundër regjimit të Suhartos, se si ra regjimi i kursit fiks dhe bashkë me të dhe regjimi 40-vjeçar i Suhartos. Studentët nga Indonezia po protestonin para FMN-së për të mos u dhënë 40 miliardë dollarë ndihmë, të cilat Suharto i kërkoi për të garantuar kursin fiks. FMN nuk e miraton kërkesën, monedha kombëtare u zhvlerësua. Protestat rrëzuan Suharton.
Ka propozime për aplikimin e euros si monedhë kombëtare cili eshte opinioni juaj?
Malaj: Së pari, Shqipëria nuk mund të përdorë euron si monedhë kombëtare, pa qenë pjesë e eurozonës. Është e vërtetë që Kosova dhe Mali i Zi e përdorin euron në mënyrë të njëanshme, sepse kanë pasur markën gjermane si monedhë kryesore, por ato nuk janë vende të eurozonës. Së dyti, në historinë e zgjerimeve të BE-së dhe Eurozonës, ka një diferencë prej rreth 10-20 vitesh midis anëtarësimit në BE dhe anëtarësimit në Eurozonë.
Për shembull, Kroacia u bë vend anëtar i BE-së në vitin 2013 dhe vetëm në vitin 2023 u bë vend anëtar i eurozonës dhe përdori euron si monedhë kombëtare. Bullgaria dhe Rumania u bashkuan me BE-në në vitin 2007, por edhe pas 16 vjetësh, drita në tunelin e eurozonës është shumë e dobët.
Së treti, e pamë gjatë krizës së rëndë të Greqisë në vitin 2008, kur shumë akademikë dhe politikbërës kërkonin të kundërtën e asaj që kërkojnë disa ekspertë shqiptarë. Ata kërkuan kalimin nga euro në dhrahmi. Debatet pro dhe kundër ishin të vështira, por fitoj opsionin i mos largimit nga euro.