Tue, Nov 26, 2024

Katër ditë para koncertit, “Alpha Show-t 2”, Noizy ka një falënderim për familjen dhe miqtë, kërkon falje për…

  • PublishedJuly 31, 2023

Nuk është e zakontë që një personazh i njohur, qoftë ky edhe nga bota e muzikës, të ndalojë e të reflektojë, jo vetëm për të falënderuar miqtë, të afërmit, familjarët, por mbi të gjitha që t’ju kërkojë ndjesë publike për zhgënjimet apo shqetësimet që mund t’ju ketë sjellë gjatë rrugëtimit të tij.

Noizy e ka bërë, me një kurajë e sinqeritet të madh, vetëm pak ditë para koncertit të tij të madh, që do të mbajë në 4 Gusht, në sheshin “Nënë Tereza”.

Në një video të katërt, që ai ka postuar në “Instagramin” e tij dhe atë të Alpha Show-t, si pjesë të serive të rrëfimeve personale, që ka bërë këto kohë, falënderimet dhe ndjesën e parë Noizy e ka përcjellë për anëtarët e grupit OTR që krijoi në Londër, të cilët duhej “t’i braktiste” sepse synonte diçka shumë më të madhe: “Famën në Shqipëri”.

“Kur isha në Angli, sapo ishim formuar si grup u thashë miqve të mi më të afërt- Hej unë do të iki në Shqipëri dhe ju premtoj se do të bëhem artist shumë i madh, më i madhi. Gjithë çunat e mi u mërzitën shumë sepse isha unë ai që e kisha krijuar grupin dhe mendonin se si lideri, personi që investoi kaq shumë energji e kohë tek grupi… mund të ikte me mendjen se në Shqipëri do të bëjë diçka të jashtëzakonshme. Atë bëra në fakt. Erdha në Shqipëri dhe investova gjithë kohën time në muzikë. Lashë vetën time në një anë, nuk u kujdesa për shëndetin e veten duke u marrë vetëm me muzikën. Dhe ja ku jemi sot, e për këtë sinqerisht dua të falënderoj gjithë miqtë e mi që patën besim tek unë, më mbështeten e s’më lanë asnjëherë ta bëjë rrugën vetëm”, ka thënë ai.

Me pas ai u kërkon edhe falje miqve: “Sepse ndonjëherë unë nxitohem e jam pak nevrik, e ndaj dhe ata ma falin shumicën e kohës. Por asnjëherë nuk i kam qëllimet e këqija as ndaj atyre e as ndaj çfarëdo lloj personi kështu që miq, dashamirës ju falënderoj nga zemra që më keni mbështetur të vij deri këtu. Nuk janë fjalë që thjesht po i përsëris por askush nuk mund të arrijë asgjë pa miq e pa njerëz që ta duan të mirën.”

Momentet më prekëse të videos janë ato që Noizy ja dedikon familjes së tij.

“Familjen time dua ta falënderoj por edhe t’i kërkoj falje. Do t’i falënderoj që më kanë mbështetur, më kanë dhënë forcë e nuk janë dorëzuar asnjëherë me mua. Do t’ju kërkoj falje për telashet që ju kam sjellë pa dashje. Fakti që familja ime është bërë një familje që e njeh gjithë Shqipëria, ç’ka nuk ka qenë qëllimi i tyre, as i mamit, as i babit e as i motrës, duhet t’i ketë shqetësuar. Do t’i kërkoja falje edhe sepse privatësia e familjes sime, padashje, në një farë mënyre është shitur, për vetë faktin se djali i tyre është Noizy, është ky që është sot dhe ndoshta ju kam sjellë dhe telashe nga kjo gjë. Ju kërkojë falje e ndjesë që ju bëra shumë të famshëm dhe ju falënderoj që s’jeni dorëzuar”, ka thënë më tej këngëtari.

Në fund Noizy thotë se vërtet zemra e Rigelsit, djalit të familjes Rajku i përket asaj, familjes së vogël, por gjithsesi fansat e grupit OTR s’duhet të mërziten sepse koncertin e 4 Gushtit ua dedikon atyre. “Ju pres aty, unë dhe gjithë grupi im!”, e mbyll Noizy rrëfimin e tij.

 

()

AlbaniaWeb.net