SPAK kërkon gjykimin e Fredi Belerit për korrupsion në zgjedhje
Prokuroria e Posaçme përfundon hetimet për blerjen e votave nga kandidati fitues i Bashkisë Himarë gjatë zgjedhjeve lokale në muajin maj dhe kërkon gjykimin e tij për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 1 gusht se i ka kërkuar gjykatës respektive gjykimin e të zgjedhurit si kryetar i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje” si dhe të bashkëpunëtorit të tij, Pandeli Kokaveshi, i marrë i pandehur për të njëjtën vepër penale.
“Rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë,” thuhet në njoftimin e SPAK, ku shtohet se vetë Rama do të shpërblehej me 300 euro për shërbimin.
Po ashtu, sqarohet se Beleri ia ka dhënë shumat monetare Ramës nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv. Sipas SPAK, Kokaveshi i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të Belerit. “Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023”, shprehet SPAK.
Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan në minutat e para të 12 majit, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garoi për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.
I njohur shkurtimisht si Fredi Beleri, ai ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27% të votave. Beleri sipas policisë është i dënuar më herët me tre vjet burg për “nxitje të urrejtjes nacionale” dhe është akuzuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste si i përfshirë në atë që njihet si “Masakra e Peshkëpisë” në vitin 1994. Beleri i ka mohuar akuzat dhe ka ngritur padi për shpifje ndaj Taulant Ballës për këtë akuzë.