Dominim total, “demat” tërbohen në zonë, por i mungon shënjestra, sa shumë raste të shpërdoruara ndaj Escledes
21 raste për gol, 11 goditje në kuadrat, 4 gola të shënuar. Shifrat flasin për një fitore spektakolare, për të kuqtë nuk ishin të tillë në fushë, përtej rezultatit, as në këtë sfidë nuk ishin të qartë në fazën sulmuese, e kishin të vështirë të finalizonin, ndërsa modestët nga Andorra në ato pak raste që krijuan sollën pështjellim në zonën e kuqe. Në këtë fazë sigurisht që i rëndësishëm është përfundimi, Partizani arrin të kaloj pa shumë probleme në turin e tre të Conference League duke thyer Atletic D’Esclades me rezultatin 4-1.
Në “Air Albania”, në një atmosferë jo shumë elektrizuese, pasi nuk kishte më shumë se 3 mijë tifozë, ekipi i Zekic nuk e vendosi në asnjë moment kualifikimin në dyshim. Pas disa rasteve të pastra të shpërdoruara në zonë, “demat” kaluan në avantazh me Tedi Carën në minutën e 28-të. Sulmuesi kavajas ishte protagonisti absolut i këtij takimi pasi në fundin e pjesës së parë, me një aksion shumë të bukur personal dyfishoi shifrat.
Historia e këtij takimi nuk ndryshoi shumë as me fillimin e pjesës së dytë, Partizani s’postoi rivalët në zonën e rreptësisë ndërsa në minutën e 64-ët ishte Rrapaj që dërgoi shifrat në 3-0. Me kualifikimin në xhep, Zekic bëri shumë ndryshime, por vetëm në shtesë erdhën dhe dy gola të tjerë. Në minutën e 94-ët, Esclades fitoi një 11-metërsh me Lopez që u tregua i saktë duke ngushtuar rezultatin në 3-1.
Në aksionin pasues, ishte Eros Grezda që gjeti rrugën e rrjetës duke sigluar shifrat përfundimtare në 4-1, një gol shumë i rëndësishëm në aspektin personal për Grezdën, i pari me fanellën e kuqe. Në shtëpinë e Partizanit festojnë për këtë kualifikim në turin e tretë të Conference League ku do të përballen me letonezët e Valmieras.
()