FOTO/ Shifra rekord, zbulohen detajet që sollën Di Biagio-n te Dinamo. Në Itali e quajnë surprizë
300 mijë euro në sezon, një kontratë 2-vjeçare, me opsionin rinovimi edhe për një tjetër vit. Këto janë detajet, shifrat që sollën Luigi Di Biagio-n në krye të Dinamos, një emër i madh i futbollit italian, një ish lojtar i famshëm, ndërsa si trajner ka qenë në krye të përfaqësueses “azzurre” U-21. Eksperienca e fundit si trajner ishte në krye të SPAL në Serie A, përfundimi ishte i hidhur teksa ekipi zbriti nga kategoria. Prej tre vitesh, Di Biagio ishte në pritje, pa një ekip.
Nga paketa prej 300 mijë eurosh, një shifër rekord për futbollin shqiptar, Di Biagio do të përfitojë 180 mijë ndërsa pjesa tjetër shkon për dy ndihmësit e tij, Ledian Memushajn dhe Fabrizio Piccareta. Emërimi i Di Biagio-s në krye të Dinamos ka bërë xhiron në mediat italiane, për pjesën më të madhe është befasi, ndërsa theksojnë se blutë janë pjesë e City Group.
Di Biagio, së bashku me stafin, kanë nisur menjëherë punën teksa drejtuan seancën e parë stërvitore në Carpegna, në Itali, aty ku Dinamo po zhvillon fazën përgatitore.
()