Miliona euro borxh/ Pas mbylljes së aktivitetit, reagon AKUM: S’ka lidhje me falimentimin, por me…
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Trajtimit të Mbetjeve (AKUM), ka reaguar pas lajmit për mbylljen e aktivitetit të ujësjellësit.
Keqadministrimi çoi në faliment Ndërmarrjen e Ujësjellësit Durrës (UKD), një nga më të mbështeturat me hua dhe grante nga donatorët.
Por në reagimin zyrtar, AKUM sqaron se ky vendim nuk ka lidhje me falimentimin, por me procesin e riorgazimit të shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve në të gjithë vendin.
“Më datë, 1 Janar 2023, Shoqëria Aksionare Ujësjellës Kanalizime Durrës ka transferuar aktivitetin në Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës SH.A., së bashku me shoqëritë e tjera Ujësjellës Kanalizime Krujë, Kavajë, Rrogozhinë. Në procesin e transferimit, i cili është mbikëqyrur nga një grup ekspertësh kontabël, janë mbartur të gjitha asetet, të drejtat dhe detyrimet nga Shoqëritë e mëparshme të Ujësjellës Kanalizime në Shoqërinë e re Rajonale. Gjatë procesit të transferimit nuk ka pasur asnjë shuarje të të drejtave ose detyrimeve, pasi Shoqëria Aksionare Ujësjellës Kanalizime Durrës ka transferuar të gjithë veprimtarinë e saj, përfshirë të gjithë të drejtat dhe detyrimet sipas një kontrate noteriale, bazuar edhe në legjislacionin tatimor dhe atë të shoqërive tregtare, ka përfunduar qëllimin për të cilin është krijuar dhe për këtë arsye Asambleja e Aksionareve ka nisur procesin e likujdimit të kësaj shoqërie”, theksohet në deklaratë.
Më tej shtohet se Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Durrës, e cila mbulon territorin e Bashkive Durrës, Kavajë, Shijak, Krujë dhe Rrogozhinë ka siguruar vazhdimësinë e shërbimit dhe është në mënyrë të vazhdueshme duke likuiduar detyrimet e prapambetura të trashëguara nga Shoqëritë Transferuese.
REAGIMI I PLOTË:
Lidhur me lajmin e publikuar sot në media për situatën e ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, Durrës, Agjencia Kombëtare e Ujesjellës Kanalizimeve dhe Trajtimit të Mbetjeve (AKUM) sqaron se:
Vendimi i Asamblesë aksionare të UK Durrës, për “Përfundimin e aktivitetit dhe prishjen e shoqërisë” nuk ka lidhje me falimentimin e saj, por me procesin e riorganizimit të shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve në të gjithë vendin, proces i nisur vitin e kaluar në bazë të një vendimi të Qeverisë Shqiptare “Për riorganizimin sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotur”.
Ky proces ka konsistuar në agregimin e 61 ish-shoqërive në varësi të bashkive të vendin dhe krijimin e 15 shoqërive të reja ku secila bashki është sërish aksionere, por tashmë së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që është aksionerja kryesore me 51%. Aktualisht 13 Shoqëri Rajonale nga 15 Shoqëri Rajonale të propozuara janë të regjistruara dhe janë në funksion.
Në zbatim të kësaj reforme Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës, ka përthithur aktivitetin e katër UK-ve, Durres, Kavajë, Krujë dhe Rrogozhinë, të dhënat financiare të të cilave janë të gjitha të deklaruara pranë organeve tatimore dhe në QKB. Janë të dhëna publike dhe transparente.
Më datë, 1 Janar 2023, Shoqëria Aksionare Ujësjellës Kanalizime Durrës ka transferuar aktivitetin në Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës SH.A., së bashku me shoqëritë e tjera Ujësjellës Kanalizime Krujë, Kavajë, Rrogozhinë.
Në procesin e transferimit, i cili është mbikëqyrur nga një grup ekspertësh kontabël, janë mbartur të gjitha asetet, të drejtat dhe detyrimet nga Shoqëritë e mëparshme të Ujësjellës Kanalizime në Shoqërinë e re Rajonale.
Gjatë procesit të transferimit nuk ka pasur asnjë shuarje të të drejtave ose detyrimeve, pasi Shoqëria Aksionare Ujësjellës Kanalizime Durrës ka transferuar të gjithë veprimtarinë e saj, përfshirë të gjithë të drejtat dhe detyrimet sipas një kontrate noteriale, bazuar edhe në legjislacionin tatimor dhe atë të shoqërive tregtare, ka përfunduar qëllimin për të cilin është krijuar dhe për këtë arsye Asambleja e Aksionareve ka nisur procesin e likujdimit të kësaj shoqërie.
Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Durrës ka një rast specifik të kostove të larta të energjisë elektrike, pasi burimet ujore nga të cilat furnizohet janë rreth 50 km larg. Këto tarifa të shërbimit të furnizimit me ujë janë të pamjaftueshme për të mbuluar koston e operimeve të shoqërisë, duke çuar në akumulim të vazhdueshëm të detyrimeve të papaguara për energjinë elektrike ndaj OSHEE dhe FSHU. Tarifa aktuale mbulon vetëm 43% të kostos së operimit.
Theksojmë se Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Durrës , e cila mbulon territorin e Bashkive Durrës, Kavajë, Shijak, Krujë dhe Rrogozhinë ka siguruar vazhdimësinë e shërbimit dhe është në mënyrë të vazhdueshme duke likujduar detyrimet e prapambetura të trashëguara nga Shoqëritë Transferuese. Konkretisht, nga momenti i krijimit të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës, nuk janë krijuar detyrime të reja për sigurimet shoqërore, pagat, dhe aktivitetin tregtar, dhe janë shlyer detyrime të prapambetura të shoqërive të transferuara në vlerën 374,344,556 Lekë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë̈ dhe AKUM kanë përgatitur kontrata të performancës, të cilat ndihmojnë̈ në mbikëqyrjen e plotë të aktivitetit të Shoqërive UK, si dhe garantimin që administrimi i tyre të jetë në përputhje me strategjinë̈ kombëtare sektoriale.