Riaktivizohet sërish zjarri në Maliq, digjet zona torfike, zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve
Riaktivizohen sërish vatrat e zjarrit në fshatin Sheqeras në Bashkinë Maliq.
Zjarri është përhapur sërish në zonën torfike. Sipas specialistëve vatrat riaktivizohen herë pas herë për shkak të tokës torfike e cila vetëdigjet edhe nga temperaturat e larta.
Gjatë gjithë këtyre ditëve në terren janë organizuar grupe për të monitoruar situatën në mënyrë të vazhdueshme për mospërhapjen e zjarrit.
Në terren ka qenë i pranishëm edhe prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole i cili ditën e djeshme ka organizuar një tjetër takim me strukturat në Maliq në lidhje me zjarret dhe masat që duhet të merren në vazhdim për kufizimin e sipërfaqes së tokës torfike të djegur, si dhe për riorganizimin e grupeve të punës për mbajtjen në vrojtim 24 orë të kësaj zone.
Gjatë këtij takimi u vlerësua gjithashtu edhe domosdoshmëria e hapjes së kanaleve të treta, të cilat në vite janë dëmtuar e prishur.
()