“Ekonomia e pabalancuar”, Tabaku për raportin e BB: Shkalla e varfërisë sa dyfishi i normës së vendeve të tjera Ballkanit, të merren masa
Deputetja Jorida Tabaku, në një reagim në Facebook, ka thënë se raporti i Bankës Botërore ka nxjerrë në pah faktin se shkalla e varfërisë është ende e lartë në Shqipëri.
Gjithashtu Tabaku shprehet se qytetarët shqiptarë, të cilët jetojnë me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë sipas fuqisë blerëse, përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë, duke shtuar se ky është një fakt që nuk duhet të injorohet dhe se kërkon ndërhyrje.
REAGIMI:
Ekonomia Shqiptare sot është e pabalancuar, prodhon vlerë të shtuar dhe dështon ta shpërndajë atë tek qytetarët; dështon të investojë në të ardhmen; dështon në rritjen e të ardhurave të familjeve shqiptare; dështon të jetë ekonomia e shumicës.
Raporti i Bankës Botërore ka nxjerrë në pah faktin e trishtueshëm që shkalla e varfërisë është ende e lartë në Shqipëri. 30% e shqiptarëve poshtë 5.5 dollarëve/ditë nuk është thjesht një numër, por pasqyron realitetin e shumë familjeve që përballen me varfërinë.
Shkalla e varfërisë është dyfishi i normës së vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Ky fakt tregon që duhet të marrim masa thelbësore për të shndërruar këtë situatë. Jo vetëm numrat, por edhe histori individuale që ndodhen pas tyre, janë thelbësore për të kuptuar sfidat që ballafaqohen qytetarët tanë.
Shqiptarët, të cilët jetojnë me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë sipas fuqisë blerëse, përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë. Ky fakt nuk mund të injorohet dhe na kërkon të kemi një ndërhyrje më të fortë dhe të vendosur për të përmirësuar këtë situatë.
Kjo nuk është vetëm një sfidë qeveritare, por një çështje që ne si komunitet duhet ta trajtojmë së bashku. Në këtë moment, nuk ka vend për politika të ndara. Të gjithë jemi pjesë e këtij procesi dhe mund të kontribuojmë në ndryshimin e situatës.
Rruga për të rikthyer besimin është ndryshimi i këtij sistemi që qartësisht ka dështuar. Rikthimi tek ekonomia e tregut, konkurrenca, mobiliteti social dhe lufta ndaj korrupsionit. Beteja sot është për të mbajtur shtresën e mesme pasi kjo është rruga për të zbutur varfërinë dhe për të siguruar një shoqëri të funksionojë siç duhet. E vetmja mënyrë për të pasur një rritje ekonomike që në fund të ditës rrit mirëqenien dhe të ardhurat e çdo shqiptari. Për këtë arsye duhet ndryshuar modeli ekonomik i krijuar; modelin që sot rrit vetëm ndërtimin; që dështon të prodhojë rritjen ekonomike në bujqësi dhe turizëm. Modeli që nuk prodhon cilësi dhe prandaj sot më shumë se kurrë duhet të mendojmë për arsimin në qendër të çdo politike; për një krah pune cilësor; për politika për shtresën e mesme dhe për familjen të cilat duhet të jenë prioriteti! Rikthimi i besimit në institucione; ekonomia e tregut, konkurrenca dhe lufta mdaj korrupsionit mund të ndryshojnë sot shumë në të ardhurat për frymë të familjeve tona. Mund të ndryshojnë balacant e një ekonomie të pakicës tek ekonomia e shumicës së familjeve shqiptare!