7 gola në 4 ndeshje, Leo Messi “pushton” Amerikën, realizon “dopietë” edhe në Kupë
7 gola në 4 ndeshje, Leo Messi nuk di të ndalet më, por është shndërruar menjëherë në protagonist absolut tek Inter Miami. Ylli argjentinas duket i rilindur në tokën e premtuar, po kalon një moment fantastik dhe kjo reflektohet sa herë ka topin në këmbë. “Pleshti” arriti të lë sërish gjurmë në sfidën kundër Dallas, e vlefshme për fazën e 1/8 në Kupë, ku marrin pjesë ekipet nga Amerika Qendrore dhe Veriore. Messi realizoi golin e parë në minutën e 6-të, një e majtë perfekte, pas një asisti nga miku i tij Jordi Alba. Kjo nuk ishte një sfidë e lehtë për Inter Miami pasi u desh një tjetër mrekulli e Leos për t’i mbajtur në lojë, pasi deri në minutën e 85-të rezultati ishte 4-3 për Dallas.
Me një ekzekutim të shkëlqyer nga goditja e dënimit, Messi barazoi shifrat në 4-4 duke bërë që ndeshja të vendosej nga ruleta e penalltive. Edhe nga 11 metra distance, Messi arriti të linte gjurmë duke realizuar penalltinë e parë. Inter Miami ishte perfekt duke shënuar 5 nga 5 penallti, rezultat që i kaloi më tej në fazën e 1/8.
()