Superiorja drejt shtyrjes, ja prapaskenat me startin e kampionatit
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga data zyrtare e fillimit të kampionatit, gjithçka mbetet e paqartë për “Abissnet Superiore”. E vetmja gjë që dihet tashmë, është kalendari, shorti për të cilin u hodh vetëm pak ditë më parë.
“Panorama Sport” ka mësuar se fillimi i kampionatit mund të shtyhet me disa ditë. Nga data 19 që është parashikuar, kampionati mund të nisë në datën 26 gusht. Shkak për këtë është bërë e drejta televizive e cila ende mbetet një çështje e pazgjidhur.
Pak javë më parë, FSHF njoftoi për ndërprerjen e bashkëpunimit me “OverSport” për shkak të mos përmbushjes së kushteve të kontratës, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar fituesi për të drejtën televizive të sezonit të ri. Tashmë mbetet të shihet se si do të zgjidhet ky ngërç, ndërkohë që shtyrja mund t’i bëjë mirë skuadrave që ende nuk e kanë plotësuar grupin dhe nuk janë gati për të nisur.