Wed, Nov 27, 2024

Arrestimi i gardistit me armë pa leje, paralajmëron Balla: Çdo paligjshmëri do të goditet me vendosmëri

  • PublishedAugust 9, 2023

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur aksionet e fundit të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje.

Balla është shprehur i bindur se  çdo paligjshmëri do të goditet me vendosmëri përditë e më tepër.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale ministri Balla ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në këtë proces, përgjatë kontrolleve që ushtrohen nga forcat e policisë.

“Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë. Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë. Në të gjithë territorin e vendit, Policia e Shtetit po organizon dhe realizon goditje të përditshme ndaj këtij fenomeni. Ndalimi gjatë natës së mbrëmshme i një oficeri të Gardës së Republikës, për armëmbajtje pa leje, tashmë i arrestuar dhe i përjashtuar menjëherë nga radhët e Gardës, konfirmon qartë angazhimin se në rrjetën e forcës së ligjit do të bien të gjithë shkelësit. Gjithashtu gjatë operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje Policia e Shtetit ka arritur të parandalojë në kohën e duhur një ngjarje të rëndë kriminale. Jam i sigurt se kam mbështetjen e qytetarëve në goditjen e këtij fenomeni, por kërkoj gjithashtu edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, të dashur qytetarë, përgjatë kontrolleve të policisë, të cilat do të jenë të shpeshta”, shkruan ministri Balla.

()

AlbaniaWeb.net