Wed, Nov 27, 2024

Kanabisi në repartin ushtarak në Zall Herr, Ministria e Mbrojtjes liron nga detyra 4 ushtarakë

  • PublishedAugust 9, 2023

Pas skandalit ku në repartin ushtarak të Zall Herrit ku u zbulua se ishin kultivuar rreth 125 bimë kanabis, vijon “furtuna” dhe masat administrative në repart. Përveç 3 ushtarakëve të arrestuar më herët, Ministria e Mbrojtjes ka liruar nga detyra dhe ka nxjerrë në dispozicion 4 ushtarakë të këtij reparti.

Bëhet fjalë jo vetëm për anëtarë të repartit ushtarak, por edhe të policisë ushtarake dhe inspektorë të krimeve që janë pjesë e policisë ushtarake.

LIROHEN NGA DETYRA
1. Specialisti për siguri në në seksionin e zbulimit
2. Specialisti për infrastrukturën/MNZSH
3. Zëvëndës Komandant toge në Kompaninë e mbështetjes
4. Magazinier/shofer në Kompaninë e Mbështetjes
Më tej mësohet se është bërë propozim për lirimin nga detyra dhe nxjerrjen në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm të FA të 6 ushtarakëve të FT dhe 4 ushtarakë të Policisë Ushtarake.

DROGA NË ZALL HERR
Propozim për lirimin nga detyra
1. Komandanti i Repartit Ushtarak
2. Komandanti i Policisë Ushtarake
3. Shefi i Shtabit i Repartit Ushtarak
4. Shefi i Seksionit të Zbulimit i Repartit
5. Komandanti i Kompanisë Mbështetëse të Repartit
6. Specialist për gatishmërinë dhe Operacionet
7. Specialist për Zbulimin në Repartin ushtarak
8. Inspektor i Policisë Ushtarake
9. Agjent Krimesh në Policinë Ushtarake
10. Ndihmës Specialist/Agjent Krimesh në Policinë Ushtarake

Është marrë masë disiplinore “Zgjidhje e kontratës së punës” për një Inspektor/Ekspert i Ekzaminimeve Kompjuterike të Policisë Ushtarake si dhe masa disiplinore “Paralajmërim për zgjidhje kontrate” për Shefin e Sektorit të Policisë Kriminale në Policinë Ushtarake.

Deri tani nga hetimet, ende nuk është zbuluar kush janë kultivuesit, gjë që pritet të konfirmohet nga policia kriminale. Në rrëfimet e tyre, tre ushtarakët e ndaluar insistojnë se e kishin të pamundur të kontrollonin zonën e pyllëzuar që është e shtrirë mes dy fshatrave të Kamzës dhe Zall Herrit. Por News24 mëson se tre ushtarakët e arrestuar kanë firmosur një dokument në periudhën qershor-korrik, ku konfirmojnë si inspektorë se nuk kishte bimë të kultivuara në brendësi të repartit. Burime nga grupi hetimor thonë se në vendin ku ishte kultivuar kanabisi janë gjetur një bidon plastik dhe prova të tjera që janë dërguar për ekzaminim, ku mund të gjenden shenja e gishtërinjve, prove e rëndësishme për të zbuluar autorët e kultivimit të kanabisit. Ky është rasti i pari që në një bazë ushtarake gjendet drogë e kultivuar, duke u shndërruar në një skandal.

()

AlbaniaWeb.net