Emrat/ Përplasi me fadromë një pushues teksa po flinte gjumë në Pogradec, arrestohet drejtuesi i mjetit dhe përgjegjësi i firmës
Arrestohet drejtuesi i fadromës që përplasi dje një pushues, teksa ky i fundit po flinte gjumë në Pogradec.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Denis Piperi, 31 vjeç, ndërsa i lënduar mbeti shtetasi me iniciale A. K., 53 vjeç, banues në Tiranë. Mësohet se i lënduari është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu u vu në pranga shtetasi Gentjan Dervishi 40 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë përgjegjës i kësaj firme pastrimi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dyshohet se nuk ka kontrolluar punonjësit e firmës dhe nuk i ka sqaruar ata, në lidhje me detyrat.
Njoftimi i policisë:
Pogradec/ Goditi me fadromë, gjatë punës për pastrimin e bregut të liqenit, një pushues, i cili si pasojë u dëmtua rëndë, vihet në pranga drejtuesi i këtij mjeti.
Në pranga dhe përgjegjësi i firmës së pastrimit, mbi dyshime për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Në vijim të informacionit paraprak, të dhënë ditën e djeshme, për një shtetas të aksidentuar nga një fadromë, në plazhin e Pogradecit, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin D. P., 31 vjeç (punonjës i një firme pastrimi), banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, në plazhin e liqenit, me një mjet teknologjik (fadromë), me të cilin ky shtetas po pastronte mbetjet në bregun e liqenit, ka goditur shtetasin A. K., 53 vjeç (pushues), banues në Tiranë, i cili u dëmtua rëndë dhe për këtë shkak, ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu, nga hetimet për këtë rast, u vu në pranga shtetasi G. D., 40 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë përgjegjës i kësaj firme pastrimi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dyshohet se nuk ka kontrolluar punonjësit e firmës dhe nuk i ka sqaruar ata, në lidhje me detyrat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.