Kaos me portën, dëmtimi i Neuer “tërbon” Bayern, “pancerat” në sulm për Mike Maignan
Për më shumë se një dekadë, që kur blenë kartonin e Neuer nga Schalke04, Bayern Munich nuk kishte pasur kurrë probleme me portën, përkundrazi ishte pika e tyre më e fortë. Pas 12 vitesh, është pikërisht Neuer që fut në telashe klubin gjerman. Dëmtimi i kapitenit detyron Bayern të futet sërish në merkato, pasi lejuan që Sommer të largohet tek Inter. Në këto momente Tuchel ka në dispozicion vetëm Sven Ulreich, por 35-vjeçari është aktivizuar vetëm në 9 ndeshje në dy sezonet e fundit, nuk ofron garanci. Në këto kushte, Bayern pritet të lëviz në këto ditë vere për të gjetur një gardian të ri.
Sipas Sport Bild, mes kandidatëve të mundshëm është përfshirë edhe Mike Maignan i Milanit. Francezi është një nga portierët më të mirë në qarkullim, por duket e vështirë që t’ia rrëmbesh kuqezinjve. “Djalli” e ka vërtetur edhe më herët se nuk dëshiron të privohet nga portieri francez teksa refuzuan 60 milionë euro nga Chelsea. Gjithsesi, në çdo rast, nëse Bayern paraqet ndonjë ofertë të pa rezistueshme edhe Maignan mund të largohet nga Milano. Alternativa të tjera për portën e Bayern, gjithnjë sipas Bild, janë edhe Diego Costa i Portos, Kepa i Chelsea dhe Bounou i Sevillas.
Kjo nuk është një verë e lehtë për ekipin e Bayern ku jo vetëm porta është kthyer në një problem, por po hasin shumë vështirësi edhe në gjetjen e një sulmuesi. Të gjithë forcat i kanë përqendruar tek Harry Kane, por Tottenham nuk po lë të lirë “bomberi” anglez. Nga Mynihu mund të largohet Pavard pasi për anësorin francez ka një interesim të lartë nga Premier League, ndërsa Walker, një nga objektivat e tyre këtë verë, vendosi të qëndrojë te Man.City.
()