KPK konfirmon dhe dërgon për inspektim prokurorin Saimir Hysa
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës Saimir Hysa.
Trupa e KPK që kreu rivlerësimin e prokurorit Hysa, e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon, njoftoi edhe se kishte vendosur dërgimin e dy çështjeve të hetuara prej Hysës për vlerësim nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Prokurori i Tiranës, Saimir Hysa u përball të hënën në 7 gusht në një seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, gjatë të cilës iu kërkuan shpjegime për gjetjet dhe barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Pas kësaj seancë KPK ka vlerësuar se ai i ka përmbushur kushtet për kualifikim në të tre kriteret. Prokurori Saimir Hysa ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Tiranës.