Në pankinë në ndeshjen e parë në Letoni, klubi turk pret përgjigjen për lojtarin e Partizanit
Partizani vazhdon ecurinë në Europë, me shpresën se do të shkruajë historinë duke u kualifikuar në fazën në grupe të Ligës së Konferencës. Por paralelisht me këtë rrugëtim, po mendon edhe për merkaton, pasi ka disa emra të të kuqve të cilët kanë ngjallur interes jashtë Shqipërisë.
Një prej tyre është Andri Hadroj, i cili ka fituar vëmendje që kur ka filluar të grumbullohet me kombëtaren shqiptare të futbollit. Mbrojtësi ka marrë disa oferta, por deri më tani, klubi nuk e ka lejuar që të largohet, pasi i cilëson ato jo në përputhje me vlerën që kërkon për kartonin e tij.
Klubi më i interesuar mbetet Gaziantepspor në Turqi, që ka nisur prej kohësh kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit. Mediat turke shkruajnë përsëri se Gaziantepspor po pret përgjigjen nga Partizani rreth një oferte që i ka bërë dhe kërkon që të mësojë nëse Hadroj do t’i bashkohet apo jo që në ditët e ardhshme pasi synon të mbyllë sa më shpejt transferimet për këtë sezon.
Hadroj deri më tani ka qenë pjesë e planeve të Zoran Zekiç, por një dëmtim në ditët e fundit ka bërë që ai ta nisë nga pankina ndeshjen e parë të turit të tretë të Ligës së Konferencës ndaj Valmiera.