FOTO/ “E mjera Itali”, mediat nxjerrin “zbuluar” Mancinin, 60 mln euro në sezon e larguan nga “azzurrët”. Spalletti-n e mban “peng” De Laurentiis
Dorëheqja e Roberto Mancini-t bëri shumë bujë në Itali, një vendim befasues që kapi “mat” FIGC, por dhe mediat: “Arratiset Mancini”, shkruan La Gazzetta. “Lëvizje e bujshme, ndryshon trajneri i Italisë. Mancini jep dorëheqjen, Gravina thërret Lucio”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport. Një nga titujt më të goditur ishte ai i TuttoSport: “E shkreta Itali, Spalletti është shpresa”. Në fakt, vet Mancini nuk e bëri shumë dramë largimin e tij, por u mjaftuam me një status të thatë në rrjetet sociale:
“Dorëheqja ime si trajner i Italisë ishte një zgjedhje personale. Falënderoj presidentin Gabriele Gravina për besimin, së bashku me të gjithë anëtaret e FIGC, shkroi Mancini. Mediat italiane kanë zbuluar arsyen e vërtetë të këtij largimi befasues, gjithçka ka të bëjë me paratë. Roberto Mancini, ashtu si një pjesë e yjeve të botës, ka zgjedhur të vijojë karrierën e tij në Arabinë Saudite. Mancini ka marrë një ofertë të pa rezistueshme në shifra: 60 milionë euro në sezon për të drejtuar përfaqësuesen e Arabisë Saudite.
Mediat në arabi e bëjnë fakt të kryer, madje disa e prej tyre e bëjnë edhe zyrtare, me Mancini-n që do të marrë menjëherë drejtimin e përfaqësueses sapo Renard të kalojë tek ekipi i femrave. Mancini do të drejtojë Arabinë Saudite në Botërorin e 2026, për të vijuar deri në fund projektin Vision 2030, ku sheikët shpresojnë të organizojnë Botërorin. Kjo është një ofertë përtej logjike, miliona në tavolinë të cilët bënë që Mancini të largohej me nxitim nga Italia, me një vendim të marrë në orët e vona të së shtunës. Largimi i Mancini-t në këtë mënyrë, pak javë përpara dy ndeshjeve kualifikuese në “Euro2024”, kundër Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës, detyron stafin drejtues të Italisë të nxitojnë për të gjetur një pasues.
Për momentin, emri i parë në listën e dëshirave, objektivi kryesor është Luciano Spalletti. Ish trajneri i Napolit është një profil që pëlqehet shumë nga stafi i FIGC, por pengesë për momentin mbetet pikërisht Napoli, pasi Spalletti është nën kontratë deri në qershor 2024. Drejtuesit e Federatës shpresojnë që Spalletti dhe De Laurentiis ta zgjidhin me konsensus këtë problem, ose më saktë nuk dëshirojnë të paguajnë për të zgjidhur kontratën e Spallettit me Napolin. Nëse Spalletti nuk lirohet në kohë, në listë pritje mbetet Conte, një profil që e njeh shumë mirë ambientin, pasi më herët ka qenë në krye të përfaqësues italiane.
()