“Lironi Fredi Belerin”, përfundon protesta në Himarë, në tubim edhe kryebashkiakët grekë
Ka përfunduar protesta e zhvilluar në Himarë për lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur, Fredi Beleri. Me pankarta në duar, qytetarët protestuan sot kundër arrestimit të Belerit. Protesta u organizua me iniciativën e shoqatës “OMONOIA”.
Pjesë e kësaj proteste ishin edhe kreu i Bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis si edhe kreu i Bashkisë së Selanikut, Kostantinos Zervas.
Ylli Manjani, teska ndodhej në tubim u shpreh se Beleri po mbahet në burg pa të drejtë. Gjithashtu në protestë ishte i pranishëm edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.
Gjatë këtij tubimi u kërkua lirimi i Fredi Belerit, duke e cilësuar këtë të fundit si kryetar të Bashkisë së Himarës, ndonëse ndodhet në burg për vjedhje votash.
“Këtu nuk është çështja e Fredi Belerit, por çështje te drejtësisë”, ka thënë Manjani.
Gjithashtu një qytetar teksa foli për mikrofonin e “News24”, u shpreh se kjo është një protestë paqësore dhe kërkojnë që të lirohet Fredi Beleri pasi sipas tyre u zgjodh nga vetë qytetarët.
“Qëllimi i kësaj proteste është lirimi i Fredi Belerit, kryetari i zgjedhur duhet të lirohet dhe të bëjë betimin. Ne jemi në protestë paqësore dhe kërkojmë drejtësi, nuk kemi asnjë problem tjetër”, ka thënë një qytetar pjesë e kësaj proteste.