Me ftesë të Ramës, kryeministrja italiane, Meloni viziton sot Vlorën
Me ftesë të kryeministrit Edi Rama, homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, pritet të vizitojë sot Vlorën. Raportohet se ajo mund të vizitonte qytetin bregdetar me një mjet privat. Nuk dihet ende qëllimi i vizitës, bëhet fjalë për një vizitë private.
Ditët e fundit mediat italiane kanë treguar interes të lartë për mendimin e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me Kryeministrin e Italisë, Giorgia Meloni, sipas të cilit ajo është trashëgimtare e një tigri, jo e një rinoceronti. Në intervistën për gazetën e përditshme italiane “Libero”, sërish Rama përcolli vlerësimin e tij dhe surprizën përballë të cilës u gjendën dhe vetë liderët europianë.
”Në skenën ndërkombëtare, Giorgia i ka surprizuar të gjithë, e do të thosha alla grande, sepse teksa prisnin një përbindësh fashist që do të marshonte mbi Europë, u gjendën përballë një gruaje me aftësi mahnitëse në komunikim si një evropiane e thekur, që deri më tash s’ka thënë asgjë gabim. E djathta, e majtë, fashizmi, socializmi kanë kuptim kur flasim për histori, por kërkimi i sensit të tyre të hershëm në politikën e sotme mund të na ngatërrojë me këmbët tona”, tha Rama.
()