“Pasi oficerët e Sigurimit tentuan ta përdhunonin e integruan në Grabjan të Lushnjes”/ Historia rrëqethëse e një prej vajzave më të bukura të Tiranës
Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.
Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.
E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht.
(Vijon nga numrat e kaluar)
Mjeku me zemër të artë
Për doktor Miço Konomin, më kishte folur babai im, shumë vjet përpara se ta njihja. Fati i zi me bashkoi me të, për shumë kohë, në burgjet e diktaturës komuniste. Ai ishte minoritar grek. Kishte lindur më 1906, në katundin Dhivër të Sarandës. Studimet e larta i kishte kryer në Universitetin e Athinës, në Fakultetin e Mjekësisë. Ishte diplomuar shkëlqyeshëm, si mjek i përgjithshëm. I ofruan punë në Greqi, por ai vendosi të kthehej në Shqipëri, atje ku kishe parë për herë të parë dritën e diellit. Kërkoi të punonte si mjek, në një zonë larg minoritetit, për të përvetësuar mirë gjuhën shqipe. Filloi punën në Krujë, në vitin 1929.
Nuk la fshat pa shkelur. Me punën e tij humane dhe i gatshëm ditë e natë për të shërbyer në zonat më të vështira: Kurvelesh, Skrapar, Myzeqe, etj., me qindra njerëz i kishte shpëtuar nga thonjtë e vdekjes. Kudo ku ishte shërbyer, kishte bërë miq dhe adhurues të shumtë. Emri dhe puna e tij ngjallën mërinë e organeve të diktaturës. I bënë presione nga më të ndryshmet, për ta bërë bashkëpunëtor të organeve të Sigurimit. Mospranimi i tij shërbeu si shkak për ta arrestuar. E dënuan me 10 vjet burg, për “agjitacion e propaganda”. Nuk u mjaftuan me kaq, por i dënuan me nga 20 vjet burg edhe djalin, edhe dhëndrin. Edhe kjo dhembje e madhe nuk e mposhti doktor Miçon. Ai s’undal për asnjë çast duke u shërbyer bashkëvuajtësve, pa dallim besimi dhe krahine.
Shpesh, me kursimet e tij, u blente barna të dënuarve të sëmurë, që s’kishin asnjë ndihmë. Megjithëse komanda e burgjeve nuk e lejoi asnjëherë të shërbente në ambulancën e kampit, ai u qëndronte të burgosurve të sëmurë rendë, natë e ditë mbi kokë. Fjala e tij ishte balsam dhe ndikonte te të sëmurët, më tepër se barnat që merrnim. Ata e quanin doktor Miçon, “Doktor me zemër të artë”. Ai gëzonte nderimin dhe dashurinë e gjithë të burgosurve.
Vuajtjet e burgjeve dhe hallet familjare, e plakën para kohe doktor Miçon., Kur mbaroi dënimin, e dënuan përsëri me 10 vjet burg. Diktatura i trembej lirimit të tij. Ai duhej të vdiste në burg. Pasi kishte vuajtur 18 vjet burg, në moshën 72 vjeçare, u sëmur rëndë. Komanda s’bëri asnjë përçapje për ta kuruar. Ai vdiq në burgun kobzi të Burrelit dhe e varrosën në gropën e përbashkët. Emri i tij mbeti në zemrat dhe mendjet e të dënuarve politikë, si simbol humanizmi.
A vritet prof. Loci?
Prof. Dr. Loci, ishte një nga kirurgët më të mirë, jo vetëm të Italisë, por edhe të Evropës. Ndërhyrjet e tij kirurgjikale shumë të suksesshme, e bënë të famshëm gjatë viteve tridhjetë. Pamja e tij e brishtë dhe fisnike, të detyronte respekt qysh në takimin e parë. E urrente fashizmin dhe ndihej në ankth nga tamtamet dhe thirrjet histerike të alalave. Nxënësi i tij, mjeku shqiptar Gjergji Doko, i propozoi të vinte në Shqipëri, se ndoshta do ta ndjente veten më të qetë. Loci, e pranoi propozimin me kënaqësi. U vendos në Tiranë në fillim të vitit 1940. Punonte si kirurg në spitalin shtetëror dhe në klinikën e tij private në rrugën “Fortuzi” (sot rruga Asim Vokshi).
“Ishte fat për Shqipërinë dhe për ne, nxënësit e tij, që erdhi në Shqipëri profesor Loci. Ai ishte një talent i rrallë. Prej tij, ne mjekët shqiptarë, mësuam shumë”- tregon kirurgu i mirënjohur Maksut Dërrasa. Tirana e sidomos mali i Dajtit, e magjepste Locin. Ditët e fundit të javës, i kalonte në Dajt, duke u marrë me gjueti.
Bisturia në dorën e Dr. Locit, shndërrohej në një instrument magjik. Brenda pesë vjetëve, kishte bërë mijëra ndërhyrje kirurgjikale. Kishte operuar jo vetëm shqiptarë, por edhe italianë, malazezë, grekë dhe bullgarë. Pati rrezikuar disa herë jetën, duke operuar në fshehtësi shumë antifashistë ilegalë dhe udhëheqës të Partisë Komuniste Shqiptare.
Kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend, se një ditë, për të gjitha ato që kishte bërë, për të shpëtuar jetë njerëzish, do të shpërblehej me plumba prapa kokës. E arrestuan në fund të vitit 1945, me akuzën, se kishte fshehur në barkun e një kufome, që dërgohej në Itali, një sasi ari, nga kursimet e tij. Kjo akuzë, u përdor si fasadë, për të mashtruar naivet. Në realitet, prof. Locit, i kërkoheshin të tjera gjëra.
Hetuesinë e bëri në godinën misterioze të Sigurimit, (“Shtëpia me Gjethe”), afër Postës Qendrore të Tiranës. E torturuan mizorisht dhe i kërkonin lidhjet me SIM-in dhe me misionet anglo- amerikane, të ardhura në atë kohë në Tiranë. Hetimet i drejtonte vetë major Vangjo Mitrojorgji, ish-shefi i Sigurimit të Tiranës.
Nuk u la torturë pa u përdorur, mbi atë korife të shkencës së kirurgjisë. Një ish-i burgosur, që kishte qëndruar në të njëjtën qeli, pas dënimit të prof. Locit, tregon se atje kishte lexuar një fjali, ku thuhej: “Sono inocente come un angelo” – Loci. (Jam i pafajshëm, si një engiëll).
Arrestojnë edhe mikun e tij mjekun, Gjergi Dako. Ai nuk i përballoi dot torturat dhe i dha fund jetës, duke u varur me këmishën e tij. Prof. Locin, shumë vende të botës do ta kishin për nder, që ai të ndodhej në vendin e tyre. Thuhet, se mbas dënimit me vdekje, Loci, kërkoi ti falnin jetën dhe premtoi, të punonte në Shqipëri, sa të ishte gjallë.
Po ku të dëgjonin të çmendurit?! Shqipërisë nuk i duheshin shkencëtarët! Flisni, o njerëz, a vritej profesor Loci?!
Gjeologu me famë botërore, Stanislav Zuberi
“Krim në Tiranën e tiranëve”. Kështu e ka quajtur shkrimtari Petro Marko, vrasjen e gjeologut polak, me fame botërore, Stanislav Zuber. Po, kush ishte shkencëtari Zuber? Kishte lindur në Poloni, në qytetin Leopol më 1891, në një familje intelektuale. Studio për gjeologji në Universitetin e Krakovit dhe i përfundoi ato shkëlqyeshëm.
Punoi në katër kontinentet e rruzullit, për të zbuluar arin e zi (naftën). E ku nuk shkeli këmba e Zuberit?! Në Venezuela dhe në Rusi, në Gjirin Persik dhe në Egjipt, në Itali dhe në Ballkan. Kudo e nderonin. Zuberi, tepër modest u qëndronte larg, lavdërimeve pompoze. Në Baku i ngritën bust. Në Bander Abaz të Persisë, rafinerisë së parë të naftës, i vunë emrin e tij.
Stanislav Zuberi, ishte i pakët nga shtati, por kishte një mendje gjeniale. Ai ishte shkencëtar me përmasa botërore. Zotëronte nëntë gjuhë të huaja, midis tyre dhe shqipen që e fliste në mënyrë të përsosur. Kishte një kulture enciklopedike. Kur fama e tij mori dhenë, Fakulteti i Gjeologjisë në Krakovi, mbajti emrin “Stanislav Zuber”. Më 1927, Zuberi erdhi për herë të parë në Shqipëri.
Zbuloi shtresa nafte në Kuçovë dhe në Patos, duke punuar për shoqërinë italiane “AGIP”. Gjatë vitit 1930, bëri kërkime për zbulim nafte në zonën e Korçës dhe të Beratit. U largua nga Shqipëria me 1931, për të vazhduar punën e ndërprerë në Siri, Irak, Palestinë dhe Egjipt, gjithmonë në kërkim të naftës. U kthye përsëri në Shqipëri me 1936 dhe punoi me ngulm, për zbulimin e shtresave të tjera naftëmbajtëse.
Gruaja ë tij, kontesha italiane, Matilda, edhe ajo gjeologe, s’i ndahej për asnjë çast Zuberit, në punën e tij, gjersa vdiq dhe u varros në Kuçovë, (nga fundi i vitit 1943), nga një bombardim ajror. I plagosur rëndë nga kjo humbje e pazëvendësueshme, Zuberi, jo vetëm që s’e ndërpreu punën, por punoi duke thënë: “Me tokën shqiptare, më lidhin shumë rrënje. Nuk do të largohem nga Shqipëria, sikur të më kanoset edhe vdekja”.
Megjithëse antikomunist në ide dhe katolik i devotshëm, ai vazhdoi të punojë po me atë vrull edhe gjatë diktaturës komuniste. Përgjohej këmba-këmbës, deri sa në janar të 1947, i vunë prangat nën akuzën: “Agjent i imperializmit amerikan”, së bashku me Zuberin, arrestojnë dhe inxhinierët Riza Alizoti, Sulo Klosi, inxhinierë gjeologë të shquar, të cilët u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan në litar më 1947, i pari në Kuçovë dhe i dyti në Rubik) e të tjerë.
Gjatë hetuesisë speciale, mbi ta u eksperimentuan lloj-lloj torturash, për të pranuar se kishin sabotuar në sektorin e naftës dhe të gjeologjisë. Ata akuzoheshin se ishin vëne në shërbim të shërbimeve të huaja anglo-amerikane, për të sabotuar ekonominë shqiptare. Rizai dhe Suloja, nuk mundën t’i duronin gjatë torturat. Për t’u shpëtuar dhimbjeve të llahtarshme, pohuan ato që kërkonin hetuesit xhelatë. Vdekja do të ishte balsam floriri, para torturave të padurueshme.
Hetuesit e Zuberit, Thoma Karamelo dhe Xhavit Struga, përdorën ndaj tij tortura të veçanta, në përshtatje me fizikun e tij të imët. Zuberin, e futnin në mes të dimrit, në fuçi me ujë, me copa akulli. E varnin në tavanin e birucës, me duart në çengela dhe e linin ashtu me ditë të tëra. E goditnin me takat e çizmeve në gishtërinjtë e këmbëve, duke ia thyer kockat.
Zuberi, as nuk pranoi të pohonte ato që s’kish bërë, as nuk vdiq. Ai u çmend dhe doli jashtë realitetit. Megjithatë, Zuberin vazhduan ta torturonin, duke thënë, se ai “shtiret si i çmendur dhe luante pjesën, që i kishin mësuar padronët e tij”. Një ditë burgun e Tiranës, ku ndodhej Zuberi, e vizitoi ministri i Brendshëm, (ish-teneqexhiu Koçi Xoxe), që mbante mbi supe spaletat e gjeneral-leitnantit.
Ai donte ta shikonte me sytë e tij Zuberin, për të cilin “shokët” jugosllavë interesoheshin aq shumë. Koçi u ul rëndë-rëndë në kolltuk, në një nga zyrat e hetuesisë. Në të dy krahët e tij, qëndronin në këmbë, të heshtur si gurë varri, hetuesit e “grupit sabotator”.
Shkencëtarin e madh, të çmendur e sollën të tërhequr zvarrë nga krahët. Nga sytë e tij të çakërdisur, dukej açik, se me Zuberin nuk mund të punohej më. “Përse nuk tregon të vërtetën? – e pyeti ministri. – Kush të ka udhëzuar për të fshehur rezervat e naftës”? – vazhdoi Koçi Xoxe, duke ngritur zërin. Zuberi me shikim në tavan, bëri kryqin dhe pëshpëriti disa fjalë të pakuptueshme. Ai i lutej Zotit, në gjuhën e tij amtare. “Ky ka mbaruar, – tha Koçi. – Ma hiqni sysh”! Kur Zuberin e larguan, Koçi u tha hetuesve: “Me Riza Alizotin dhe të tjerët, punuat mirë.
Ata edhe në gjyq, e pranuan fajësinë e tyre. Me Zuberin e keni qelbur fare punën! Nuk u treguat të aftë t’i nxirrni sekretet, që mban në atë kokë, që e ka si qepë Bozhigradi. E çmendët, para se të tregonte ato që na duheshin. Shokët jugosllavë janë shumë të interesuar për Zuberin. Ata na pyesin vazhdimisht se ç’thotë Zuberi. Çfarë t’u them atyre, kështu si e katranosët ju punën?! E paçi haram bukën e Partisë!” U ngrit vrik nga kolltuku dhe doli jashtë, i shoqëruar në heshtje nga një shpurë oficerësh të Sigurimit.
Edhe pas takimit me Ministrin e Brendshëm, Zuberin vazhduan ta torturonin. Hetuesit shpresonin se Zuberi do ta zgjidhte gjuhën. Një ditë, një nga xhelatët e qëlloi me shqelm në kokë. Atij i shpërtheu hemorragjia, si një llavë vullkani. U mundua të bënte kryq për herë të fundit, por nuk mundi. Shkencëtari i madh botëror, Stanislav Zuber, që kishte bërë aq shumë për Shqipërinë, vdiq i çmendur dhe i vrarë mizorisht nga komunistët shqiptarë.
Ganimeti
Ganimeti ishte një nga femrat më të bukura të Tiranës. Trupi i saj i gjatë dhe i mbushur, ishte në harmoni të plotë me ngjyrën trëndafili të fytyrës dhe me sytë gjithmonë të qeshur dhe të lotuar. Krahas bukurisë së trupit, ajo gëzonte dhe bukurinë e mendjes. Kishte kryer shkollën “Nëna Mbretneshë” dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. S’kishte lënë libër pa lexuar dhe në bisedë ishte tepër e këndshme.
Më 1945, një oficer i Misionit anglez, u dashurua marrëzisht pas saj. Ai deshi të martohej me të, por e larguan brenda 24 orëve, si person i padëshiruar. Ganimetin e arrestuan me akuzën e “spiunazhit” në shërbim të fuqive të huaja. Atë e torturuan barbarisht në qelitë e Sigurimit, kurse disa nga funksionarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, u përpoqën ta përdhunonin. Pas disa kohe e liruan nga burgu, por e lanë pa punë, që të vdiste urie. Për të mbijetuar zbukuronte vajzat e Tiranës, ditën e martesës.
Kësaj pune ia mori dorën në mënyrë të përsosur. Çdo mbrëmje, me nënën e saj përkrahu, bënte shëtitje në Bulevardin e madh. Me qindra sy e shikonin me adhurim e lakmi. Ajo ishte vazhdimisht e përgjuar. Ndjente dëshpërim, po kurrë nuk e tregonte në sy të të tjerëve.
Asnjëherë nuk u përkul dhe s’kërkoi mëshirë. Në një ditë tetori me shi, në fillim të viteve ’60-të, një kamion me policë u ndalua para shtëpisë së saj, në “Rrugën e Dibrës”. E hipën forcërisht në makinë, së bashku me nënën plakë. E internuan në Grabian të Lushnjës dhe caktuan një kthinë, në një ish-stallë derrash.
Era e urinës të shponte hundët dhe vrimat e mureve të pa suvatuara, ishin plot me akrepa. Lagështira të hynte deri në palcë. Edhe ditën duhej ta mbaje llambën ndezur. Jashtë, baltën deri në gju, mund ta kaloje vetëm me çizme. Ganimeti u pushtua nga një dëshpërim i tejskajshëm.
Ashtu, ajo nuk mund të jetonte më. Asnjë rreze shprese nuk dukej në horizont. E shtrydhi trurin për disa ditë dhe qëndroi disa netë pa gjumë, për të gjetur rrugën e shpëtimit. Nuk mundi dot të çante errësirën. E vetmja rrugë shpëtimi, ishte vdekja. Dhe vendosi të vdiste. Ia shfaqi nënës vendimin e saj dhe ajo e përqafoi duke u dridhur. “Do të vdesim së bashku i tha nëna. Unë e para dhe pastaj ti”. Fjalët e nënës ia lehtësuan ngërçin që i shtrëngonte gjoksin. Ajo u ndie më pak e trishtuar, që po linte atë jetë mjerimi. Shkoi në dyqan dhe bleu 10 metra litar. E preu në dy pjesë të barabarta dhe u ul në tavolinë, ku shkroi një letër. Se farë shkroi në atë letër dhe kujt i drejtohej ajo, askush s’e mori vesh, përveç operativit të Sigurimit, që e mori pas vdekjes së tyre.
Pasi pinë kafe në heshtje të mallëngjyera, Ganimeti hipi në tavolinë dhe vari mbi trarin e ish-stallës dy litarë të bërë lak. Punonte e qetë dhe pa ju dridhur duart, sikur të stoliste një nuse. Hipi nënën mbi karrige, i hodhi lakun në qafë dhe i ra karriges me shkelm. Nëna mbeti e varur në hapësirë.
E çoi karrigen një metër larg, hipi mbi të, vendosi lakun në fyt, duke shtrënguar fort dhëmbët, që edhe kur të vdiste, të mbetej e bukur. E rrëzoi karrigen me majat e gishtave dhe mbeti edhe ajo e varur si nëna. Disa fëmijë, që luanin para stallës, nga zhurma që dëgjuan u afruan te dera. Ata mbetën të lebetitur kur panë nga vrimat e derës, dy gra të veshura me të zeza, që lëkundeshin në hapësirë.
Fëmijët lajmëruan fqinjët e internuar, që banonin në të njëjtën stallë. Ata u turrën me vrap, shqyen derën dhe ngrinë në vend, para dy kufomave, që vazhdonin të lëkundeshin akoma. Askush nuk guxoj t’u afrohej dhe t’i zbriste në tokë, Një djalë, vrapoi për të lajmëruar të plotfuqishmin e policisë.
Pas një ore, ai erdhi së bashku me operativin e Sigurimit. Me një pamje demonjake, ata lëshonin shtëllunga tymi duhani, mbi fytyrat e brengosura të të internuarve. Urdhëruan një burrë, që t’iu priste litarët. I dëbuan të gjithë nga kthina dhe aty mbetën vetëm xhelatët e viktimat e tyre. Në mbrëmje vonë, ato i varrosën në një gropë buzë një kanali. Askush nuk vuri një lule dhe nuk shkroi një emër mbi grumbullin e dheut…!/memoria.al/