A duhet të konsumoni kafe gjatë shtatzënisë?
Gratë shtatzëna nuk duhet të heqin dorë nga kafja e përditshme, sepse jo vetëm që nuk e rrezikojnë shëndetin e foshnjës, por mund të ruhen edhe nga sëmundje të ndryshme.
Por ekspertët paralajmërojnë se nënat shtatzëna nuk duhet të konsumojnë kurrë më shumë se 200 mg kafeinë në ditë, që është e barabartë me dy filxhanë kafeje ose me dy çajra dhe një kanaçe kola.
Studiuesit në Universitetin e Pensilvanisë shqyrtuan 2,529 gra shtatzëna që u përfshinë në një studim midis viteve 2009 dhe 2013. Në fillim të studimit, secila grua raportonte se sa kafeinë pinin në ditë.
Kafeina u mat edhe në analizat e gjakut në javën e 10 dhe 13 të shtatzënisë. Më pas, ekipi shqyrtoi diagnozat e një sërë sëmundjesh që mund të shfaqeshin gjatë shtatzënisë. Ata zbuluan se pirja e 100 mg kafe në ditë, rreth një filxhan kafe, reduktonte deri në 47 për qind rrezikun e shfaqjes së diabetit.
Diabeti gestacional shfaqet kur një nënë shtatzënë ka sheqer të lartë në gjak që zakonisht zhduket pas lindjes. Është i trajtueshëm dhe normalisht nënat kanë fëmijë të shëndetshëm.
Megjithatë, për shkak të tij, nënat shtatzëna mund të rrezikojnë që të preken nga diabeti tipit 2 në të ardhmen, një gjendje kronike që ka nevojë për menaxhim gjatë gjithë jetës me dietë, stërvitje dhe ndonjëherë edhe me mjekim.
Mund të shkaktojë gjithashtu probleme me lindjen e foshnjës. Nënat mund të fillojnë të lindin para kohe, mund të lindin me prerjen cezariane për shkak të rritjes së tepërt të foshnjës ose për shkak se ka shumë lëngje në mitër.
Foshnja mund të lindë edhe me verdhëz, një problem i mëlçisë që shkakton zverdhje të lëkurës dhe syve, që kërkon trajtim spitalor. Në raste shumë të rralla, diabeti gestacional mund të bëjë që fëmija të lindë edhe i vdekur.
“Gjetjet tona mund të ofrojnë njëfarë sigurie për gratë që tashmë po konsumojnë nivele të ulëta deri në mesatare të kafeinës,”- tha Dr Stefanie Hinkle, një asistente profesore e Epidemiologjisë në Penn dhe drejtuesja e studimit.
Megjithatë, ajo shtoi: “Nuk këshillohet që gratë të cilat nuk pinë alkool të fillojnë konsumimin e pijeve me kafeinë me qëllim të uljes së rrezikut të diabetit gestacional“.
Nëse kafeina konsumohet në nivele të larta, hulumtimet kanë treguar se ajo mund të shkaktojë abort ose fëmija lind nën peshën normale./Burimi:Panorama