Thu, Nov 28, 2024

Debati për protestën e Belerit/ Demaliaj: Grekët qesharakë e dramatikë. Burimi: Beleri kriminel, por s’mund të mbahet në qeli sepse…

  • PublishedAugust 15, 2023

Dy analistët Ilir Demaliaj dhe Genc Burimi kanë komentuar protestën që u zhvillua ditën e djeshme për lirimin e Fredi Belerit në Himarë, si edhe zhvillimet rreth kësaj çështjeje.

Demaliaj është shprehur se grekët me këtë veprim kanë treguar se janë “qesharakë dhe dramatikë”, dhe se nuk kanë aftësinë t’i futen modernitetit politik që udhëheq botën.

Ai nuk ka kursyer as komentet për pjesëmarrësit shqiptarë në protestë si Ylli Manjani apo Ivi Kaso, të cilët i cilësoi si “gjakrpishur që flasin për sovranitet”.

Nga ana tjetër Burimi ka deklaruar se grekët vërtetë janë antishqiptarë, por në rastin e Belerit ky i fundit nuk duhet të mbahet në burg pa u dënuar, sepse sipas tij ky është një akt që nuk i përket shtetit të së drejtës.

Sipas tij Beleri mund dhe duhet të dënohet, por jo të mbahet në qeli për një afat prej 3 muajsh tanimë pa pasur një vendim përfundimtar nga drejtësia.

Demaliaj është përgjigjur duke thënë se Shqipëria ka gabuar duke lejuar Greqinë të veprojë në Shqipëri oër shumë raste, si deti, varrezat apo Kisha Ortodokse.

Pjesë nga debati:

Demaliaj – Grekët treguan veten që janë qesharakë dhe dramatikë. Jetojnë në shekullin e 14-të me mitet e tyre. Nuk kanë aftësinë t’i futen modernitetit politik që udhëheq botën. Problemi është që si vetë jeta, ka një respekt dhe komunikim të ndërsjellë, ku nuk jepet respekt nëse nuk ka respekt. Këtë flamur e vesh për shqiptarët gjakprishur si Manjani, Kaso dhe foltorja, të cilët flasin për sovranitet.

Ishte e pështirë, e turpshme dhe e ndyrë ajo që ndodhi në Himarë dje. Belerin e vuri foltorja në garë, Berisha, i cili dikur qante kur Beleri akuzohej për vrasjen e oficerëve në Peshkëpi. Këta janë njerëz pa skrupull e pa moral.

Burimi – Jam dakord që nuk ka më antishqiptarë se grekët dhe më armiqësorë. Jam dakord me zotin Demaliaj. Ka shumë si Demaliaj që janë gllabëruar nga ideja që s’mund të ketë demokraci për armiqtë e demokracisë. Beleri duhet të ishte në burg për atë që ka ndodhur në Peshkëpi, por edhe krimineli më i madh ka të drejtë për shtetin ligjor.

Demaliaj – Po e ngatërrojmë. Beleri është një hajvan që përdoret, copë mishi me dy sy dhe nuk është as grek.

Burimi – Debati është te shteti i së drejtës, nuk ka të bëjë me Greqinë apo Shqipërinë. Ajo që i ka ndodhur Belerit mund të na ndodhë të gjithëve.

Demaliaj – Merr frymë tani. Ti flet për shtetin e së drejtës dhe jam dakord. Nëse flasim se duhet të veprojë drejtësia, le të ndodhë. Këtë drejtësi kemi. Themi që Rama kontrollon drejtësinë, por arrestohen gjithë njerëzit e Ramës. Turpi është te ata që e vunë këtë njeri kandidat, Berisha dhe Meta.

Aty ku dikush akuzohet për një vrasje të tillë, nuk mund të ndodhë të kandidosh. Nuk duhet të lejojë opinioni publik. Është e turpshme kjo. Ata që shkuan ose janë idiotë, gjakprishur ose kanë inatin e Ramës.

Burimi – Unë kam si bosht shtetin e së drejtës. Protesta është instrument i mirënjohur i shtetit të së drejtës.

Demaliaj  – Është instrument i njerëzve të shtetit, jo zyrtarëve të Greqisë që vijnë e protestojnë në Shqipëri.

Burimi – Shteti mund të vendoste në këtë rast një vizë mos hyrjeje për këta personazhe. Pse nuk e bëri?

Demaliaj  – Ti del nga binarët sepse vendos në dyshim vetë shtetin e së drejtës. Je kontradiktor në këtë rast. Ky që është funksionon kështu.

Burimi – Unë e dua qelibar shtetin e së drejtës. Ajo është ëndrra ime.

Demaliaj  – Do ta heqim Skënderbeun e do vendosim monumentin e Burimit. Ky që kërkon shtetin e së drejtës dhe unë jam për të.  Tani ky shtet që kemi pranuar është, nuk do marrim kryebashkiakët grekë. SPAK e ka arrestuar këtë njeri. Le të presim gjyqin e të dalin provat për këtë njeri.

Burimi –  Ka ndonjë rrezik të madh Beleri nëse lihet i lirë?

Demaliaj  – Nuk je ti që vendos se si trajtohen njerëzit nga drejtësia.

Burimi – Jetoj në Perëndim dhe shoh që nuk ka arrestim preventiv sepse nuk është pjesë e demokracisë.

Demaliaj  – Beleri është një fshatar gdhë.

Burimi – Po të ishte Trump në Shqipëri do vendosej në arrestim preventiv. SPAK nuk është gjykatë. Le ta dënojë me 100 vjet burg, pse i krijon Shqipërisë këto probleme?

Demaliaj  – Trump nuk është futur në paraburgim për shkak se ka privilegjin si ish-president.

Burimi – Nuk ka asnjë privilegj. E ke shpikur ti këtë. Mos fol broçkulla.

Demaliaj – Pusho një minutë o syri vigjilent. Në SHBA janë dënuar përgjegjësit për sulmin në Capitol.

Burimi – Le ta dënojnë, rëndë madje, por jo të mbahet në paraburgim. Ekspertiza jote është në vitin 1991 kur ia mori Berisha Ramiz Alisë.

Demaliaj  – Himara është shqiptare dhe nuk ka asnjë lidhje me Greqinë.

Burimi – Unë jam më nacionalist se ti. Rama le t’i bëjë non-grata kryebashkiakët grekë që erdhën në Himarë dje.

Demaliaj  – Gabimet tona janë se i kemi lejuar shumë për shumë raste dhe tani na heqin brekët sa herë duan. Ne i kemi lejuar grekët për shumëçka, ndërkohë që ata flasin për të drejtat e njeriut për një injorant si Beleri.

Burimi – Pse shokoheni te Manjani? Unë u shokova më shumë kur Manjani u bë avokat i Pëllumb Gjokës. Ai është avokat, dhe po bën avokatin e djallit. Kur ka marrë në mbrojtje një kriminel të tillë, pse të mos marrë në mbrojtje atë? Ndoshta e kanë paguar grekët.

Demaliaj  – Ai arrin dhe thotë që Beleri është njeriu që po mban demokracinë gjallë në Shqipëri.

AlbaniaWeb.net