Kryeministri Rama dënon ndërhyrjen greke në arrestimin e Fredi Belerit
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka dënuar një protestë të mbajtur në qytetin jugor shqiptar të Himarës në mbështetje të një greku etnik i cili u zgjodh kryebashkiak i qytetit dy ditë pas arrestimit të tij nën dyshimin për blerje votash.
Kryebashkiakët e Athinës dhe Selanikut iu bashkuan mbështetësve të Fredi Belerit në Himarë të hënën për të protestuar kundër arrestimit të tij më 12 maj.
Megjithëse ishte në paraburgim, Beleri fitoi zgjedhjet për kryebashkiak të 14 majit në Himarë, duke mundur kryetarin aktual të bashkisë Jorgo Goro të Partisë Socialiste të Ramës.
Një numër zyrtarësh të lartë të qeverisë greke kanë kërkuar lirimin e Belerit. Në një postim të gjatë në Facebook, Rama u shpreh kundër ndërhyrjes së Athinës.
“Në memorien time nuk ka një rast tjetër, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti”, shkroi ai.
“Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike.”
“Vallë kombësia greke i jep qytetarit shqiptar të akuzuar nga SPAK-u dhe mbajtur në paraburgim nga gjykatat e vendit, një status të ndryshëm nga 48 qytetarë të tjerë shqiptarë me kombësi shqiptare, ndër të cilët edhe disa kryebashkiakë të partisë time, që sot janë të paraburgosur nën akuzat e të njëjtit organ, me vendime identike të të njëjtave gjykata?!” shkroi Rama.
Kryeministri shqiptar theksoi respektin e tij të vazhdueshëm për homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, duke e quajtur atë një “lider modern evropian dhe person i admirueshëm” që kishte ndihmuar në shkrirjen e “akullit ballkanik” në marrëdhëniet shqiptaro-greke.